Policia e Shtetit ka identifikuar një prej tre autorëve që sulmuan mëngjesin e kësaj të mërkure Sokol Mëngjesin, avokatin e Sali Berishës. Këtë e konfirmoi në një reagim zyrtar ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës se sulmi është urdhëruar nga kryeministri.
“Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllim vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor”, tha Balla.
Reagimi i Ballës erdhi pasi më herët doli në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo. Ajo akuzoi Edi Ramën se sulmi ndaj Sokol Mëngjesit është urdhëruar nga prej tij.
“Sot në mëngjes, tre banditë, të urdhëruar nga Edi Rama, kanë sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani”, tha ajo.
Kujtojmë se Sokol Mëngjesi u godit në mëngjes teksa dërgonte fëmijën në kopësht. Ai ndodhet në spital, në gjendje të normalizuar, njoftoi policia. Sipas burimeve, Mëngjesi ka pësuar fraktura në kokë./tvklan.al