Ky që shihni në foto është Alban Semaku, anëtar i bandës së Lushnjes. Disa orë pasi u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në afërsi të lumit Shkumbin, policia ka mundur të zbardhë identitetin e tij.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për verifikimin e identitetit të shtetasit të vrarë me armë zjarri, i cili është gjetur në afërsi të lumit Shkumbin, në lagjen Çezmë, Peqin, pas verifikimeve të kryera, rezultoi se ishte shtetasi Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnje, i cili deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali”.

38-vjeçari u gjet i vrarë me dy plumba në trup, një në shpinë dhe një në brinjë. Dyshimet janë se ai mund të jetë ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës diku tjetër dhe më pas është hedhur pranë fshatit Çermë nga autorët e ngjarjes. Shkaqet e këtij ekzekutimi mbeten të panjohura.

Viktima ishte me precendentë të shumtë kriminalë, ashtu siç përcjell edhe Policia e Shtetit në informacionin e saj zyrtar për mediat.

“Në vitin 2006, ky shtetas është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës.

Më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnje, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit Alban Semaku, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e tipit “Zastava”, një kre hër pistolete me 6 fishekë dhe dy doza heroinë.

Me vendimin e datës 16.11.2015 të Gjykatës së Rrethit Lushnje është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja” dhe është liruar nga burgu 06.05.2021, pasi ka vuajtur dënimin në I.E.V.P Peqin”, tha Policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al