Dy ditë pasi kompania çeke, CEZ, ka rezultuar si oferta më e mirë për privatizimin e OSSH-së, IFC konsulenti i qeverisë shqiptare e ka quajtur të suksesshëm këtë tender.

Gjatë një komunikimi për median përfaqësuesi i IFC-së u shpreh se tenderi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Sipas tij çmimi i ofruar është sa dyfishi i vlerës së kapitalit.

Angelo Dell’Atti: “Investimet minimale që pritet të gjenerohen nga ky transaksion vlerësohen të jenë rreth 200 milion euro gjatë pesë viteve të para të operimit dhe duke u bazuar në targetat e humbjes në shpërndarje, të cilat CEZ-i në ofertën teknike të tij pranoi t’i arrijë. Për pasojë nëse marrim parasysh investimet, çmimin e paguar për aksionet dhe borxhin e caktuar të OSSH-së, CEZ do të kontribuojë me një shumë prej 52.7 miliard lekë”.

Ndërsa Neritan Alibali, kryetari i komisionit vlerësues, theksoi se shumë shpejt dosja e privatizimit do t’i kalojë qeverisë.

Neritan Alibali: “Komisioni i vlerësimit të ofertave po punon intensivisht për përgatitjen e raportit të vlerësimit në bazë të ligjit në të cilën ne po shqyrtojmë me shumë kujdes ofertën financiare, si dhe çmimin e ofruar nga kompania CEZ dhe këtë vendim tonin të përfshirë në komisionin, në raportin e vlerësimit do t’i përcjellim këshillit të ministrave.”

Në tenderin e së hënës CEZ ofroi 102 milion euro për blerjen e 76% të aksioneve të OSSH-së, ndërsa ka pranuar të paguajë të gjithë borxhin afatgjatë të operatorit të shpërndarjes që arrin në 15.6 miliard lekë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro