Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska ka komentuar gjatë një konference për shtyp masat e policisë për mbrojtjen e deputetit dhe botuesit Nikollë Lesi. Policia rrethoi ditë më parë godinën e gazetës “Koha Jonë”, pas një alarmi të rrem për bombë, ndërsa prej ditësh, deputeti Lesi është marrë në mbrojtjen e policisë së shtetit.

Igli Toska: “Në lidhje me deputetin Lesi, janë masa të cilat policia i ka marrë për çdo deputetë të parlamentit shqiptar, sa herë është parë e nevojshme dhe cilitdo deputet, apo cilitdo individë, apo politikanë që do t’i drejtohet policisë shtetit për mbrojtje për arsye të ndryshme, policia e shtetit është e detyruar që t’i ofrojë mbrojtje ligjore. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe për deputeti Lesi.”

Këtë koment ministri e ka bërë i pyetur gjatë një konference për shtyp, në kuadër të vizitës së ministrit maqedonas të rendit Avramovski. Të dy homologët janë shprehur në lidhje me bashkëpunimin mes policive të dy vendeve për menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Një temë diskutimi për plane të përbashkëta veprimi, ka qenë lufta kundër trafikut të drograve të forta që sipas ministrit Toska vijnë nga vende të lindjes e duke kaluar transit përmes Maqedonisë dhe Shqipërisë kalojnë drejt Europës Perëndimore./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj