Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë pas 3 orësh nga SPAK. Pa dhënë detaje se për çfarë u pyet konkretisht, ai deklaroi: SPAK është kthyer falë Dum Dumanit në një parti bashkëqeverisëse të Edi Ramës. U pyeta 3 orë kot më kot për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprime të të tjerëve.
Më tej vijoi me fyerjet ndaj kreut të Strukturës së Posaçme, Altin Dumani.
“Në vend të ndalojë Edi Ramën, inceneratorin, aferën e Portit të Durrësit të gjitha PPP-të. Merret me përrallat e laraskave të tij. Tani do iki te sipërmarrja, kam tryezën. Se këtë do Dum Dumani, të mos merremi… Këtë detyrë i ka caktuar Edi Rama. Ne do shkojmë te sipërmarrja që po vuan, po shkatërrohet nga taksat e Edi Ramës. Si kryetar i narko-regjimit që tenton ta mbajë me Dum Dumanin. Po bën akte kriminale kundër opozitës”, tha Meta.
Meta ka qenë dhe më herët në SPAK, ku është pyetur për hetimet mbi marrëveshjen e CEZ me kompaninë DIA në 2009-ën. Hetimet e SPAK lidhen me privatizimin e kompanisë dhe dyshimet për abuzime me mbledhjen e borxheve. Por për të ka dhe dy kallëzime të tjera.
I pari i bërë nga Halit Valteri për lobimin në SHBA dhe i dyti për një tjetër çështje që ka të bëjë me shpenzime në një klinikë jashtë Shqipërisë. Për secilën, kryetari i PL është shprehur se “nuk ka asnjë shqetësim”.
Kujtojmë se ditën e djeshme në pyetje nga prokurorët u mor bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Deputetja qëndroi brenda ambienteve të Prokurorisë mbi 5 orë. Për gazetarët deklaroi se është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni sa i takon hetimit pasuror ndaj saj. Mohoi të jetë ngritur ndonjë akuzë.
/tvklan.al