Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Shefi i diplomacisë shqiptare Ilir Meta, ka kërkuar mbështetjen e të gjithë klasës politike, në procesin e negociatave me BE. Numri dy i ekzekutivit, ka bërë analizën e politikës së jashtme të Shqipërisë për vitin 2002 dhe ka përcaktuar si prioritet për këtë vit, një punë serioze dhe intensive, pak ditë para vizitës në Tiranë të kryetarit të KE Romano Prodi.
Sipas zotit Meta, shpallja zyrtare e hapjes së negociatave, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, shënon kulmin për këtë vit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Ilir Meta:- “Ky moment është edhe vetëm pikë fillimi, i një ushtrimi më të vështirë, atij të negociatave, të angazhimeve të reja dhe të punës dhe përpjekjeve të përbashkëta, që duhen bërë për t’i vënë ato në jetë. Ne duhet të kemi parasysh, se jemi ne ata që kemi në dorë butonin e shpejtësisë së ecjes tonë drejt BE. Aftësia jo për të qenë partner dhe për të zbatuar angazhimet, do të jetë matës i vetëm i temperaturës së marrëdhënieve në BE dhe i vetmi ilaç i njohur dhe i rekomanduar është puna serioze. Ne kemi trokitur në portën e madhe të historisë, por askush nuk do të ketë kohë të na presë nëse shkojmë duarbosh. Ndaj fillimi i reformave është çelësi, jo vetëm për fillimin e negociatave, por edhe për ecurinë e tyre të suksesshme dhe mbi të gjitha për zbatimin e MSA, e cila do të çojë parametrat tona drejt atyre të BE dhe që do të ndryshojë në mënyrë cilësore, jetën e qytetarëve të këtij vendi”.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka folur dhe për marrëdhëniet e reja që janë krijuar më vendet e rajonit, ku një hap cilësor ka veçuar fazën e re me të cilën Shqipëria ka hyrë më Beogradin, Shkupin dhe Zagrebin. Ndërsa si marrëdhënie prioritare strategjike, zoti Meta ka vlerësuar ato me SHBA, BE dhe veçanërisht me dy vendet që kryesojnë këtë vit presidencën e BE Greqinë dhe Italinë.
Në analizën vjetore të Ministrisë së Jashtme, ka marrë pjesë përfaqësuesi i qeverisë, Ministri i Integrimit Sokol Nako./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço