Ministri i Jashtëm, Meta, është takuar me komisionerin përgjegjës për zgjerimin, Stefan Fule, me të cilin është përqendruar tek stabiliteti politik dhe liberalizimi i vizave.
Komisioneri Fule ka dhënë një vlerësim shumë pozitiv për procesin e vizave.
Ilir Meta: “Natyrisht, që edhe përmirësimi i situatës politike në vendin tonë ka qenë prezent gjatë këtij bashkëbisedimi dhe unë mund t’ju them se kam shprehur dhe njëherë vullnetin tonë për ta përmirësuar dhe për të dalë nga kjo situatë, pasi sidomos procesi i integrimit evropian kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis mazhorancës dhe opozitës, siç e takon vullnetit politik, edhe në drejtim të legjislacionit sipas standardeve evropiane dhe ne do të vijojmë përpjekjet tona në mënyrë që të realizojmë edhe plotësimin e kërkesave të opozitës në mënyrë sa më transparente, por edhe të respektojmë kuadrin kushtetues.”
Stefan Fule: “Ishte një përshkrim shumë i mirë që bëri ministri dhe një takim shumë i mirë që patëm. Unë e vlerësoj shumë progresin e madh që Shqipëria ka bërë drejt rrugës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Përgjigja e mijëra faqeve të pyetësorit është një provë e mrekullueshme. Ne folëm edhe për situatën politike dhe marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës. Unë theksova se zgjidhja për kapërcimin e ngërçit politik duhet të bëhet në bazë të transparencës dhe kornizës kushtetuese dhe përsërita që përgjegjësia është në të gjitha partitë politike. Patëm një diskutim shumë të mirë për vizat. Kemi raportin e vlerësimit të Komisionit Evropian që i është prezantuar shteteve anëtare dhe Parlamentit Evropian. Më duhet të them se është një vlerësim pozitiv, shumë progrese të shkëlqyera që Shqipëria ka bërë për të përmbushur udhërrëfyesin. Mbeten vetëm dy-tre çështje për t’u plotësuar, por duke konsideruar rekomandimin e mirë të Komisionit Evropian, parakushtet ekzistojnë për një proces pozitiv për Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin.”/tvklan.al