Ndryshe nga Nano mendon ish-kryeministri Ilir Meta për integrimin evropian të Shqipërisë. Gjatë një takimi me studentët e Universitetit të Elbasanit i shoqëruar nga Dritan Prifti e Sokol Nako, Meta pohoi se rruga më e shkurtër për në Bashkimin Evropian ka të bëjë me një ndryshim radikal, jo vetëm të partisë socialiste, por të gjithë klasës politike shqiptare. Ai la të kuptohet se do të jetë në mes të dy forcave të mëdha politike.
Ilir Meta: “Në këto kushte është e domosdoshme që në Shqipëri të formohet një vullnet i ri politik për të bërë reforma, një vullnet i ri politik për të arritur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian. Ky vullnet i ri politik, mos prisni që të bëhet nga kjo klasë politike. Nuk është problemi se kjo klasë politike nuk e di se çfarë do Bashkimi Europian, nuk e di se çfarë do NATO dhe se çfarë do komuniteti ndërkombëtar që Shqipëria të bëhet pjesë e barabartë e tij, por interesat, të cilat kjo klasë politike në përgjithësi përfaqëson, janë të tilla që shkojnë në kundërshtim më kërkesat e integrimit europian.” /tvklan.al