Lajme Arkiva 2003

Ilir Meta është pritur nga 50 makina me simpatizantë në Bushat të Shkodrës të cilët e shoqëruan deri në sallëne takimit të Rozafës që mbante mbi 340  veta. “Erdha për ti thënë ndal bashkëjetesës me trafiqet, krimin e organizuar,ndal ekonomisë informale, monopolit ekonomik dhe politik, uzurpimit të biznesit dhe partisë”.

Meta kërkoi transparencë të privatizimit të sektorëve strategjikë si edhe llogaritë për çdo lekë të dhënë nga taksapaguesit shqiptar.

Ilir Meta: Ka ikur koha e shokut Xhemal dhe kunatit të tij. Anëtarët e Partisë Socialiste nuk janë më për të duartrokitur fjalime absurde dhe premtime qesharake. Jemi këtu për tu thënë të gjithëve se problemet e vërteta, reale dhe serioze që unë dhe të gjithë ju kemi ngritur në shkallë vendi dhe nivel vendor dhe në nivel komuniteti nuk mund të zgjidhen duke përjashtuar mua dhe ju nga Partia Socialiste, sepse nuk mund të përjashtohet Partia Socialiste nga Partia Socialiste. Ne votuam kundër personalizimit të pushtetit të Partisë Socialiste dhe të qeverisjes së vendit nga një njëri i vetëm. Ne votuam për ti thënë ndal metodave arbitrare dhe bizantine të drejtimit të qeverisjes së vendit dhe të Partisë Socialiste. Ne votuam kundër për ti thënë ndal rikthimit të formave të vjetra të së kaluarës në drejtimin e qeverisjes së ve dit dhe të partisë socialiste. Ne votuam kundër për ti thënë ndal uzurpimit të Partisë Socialiste dhe qeverisjes së vendit nga përfaqësues të ekonomisë informale të cilët, tashmë paraqiten si biznesmenë të suksesshëm dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët u pasuruan gjatë regjimit të Sali Berishës dhe tashmë u duhet stema e Partisë Socialiste, u duhen vuajtjet dhe sakrificat tuaja të 13 vjetëve për të shumëfishuar pasuritë e tyre dhe për t’ju zhytur ju në varfëri. Përse gënjehet dhe thuhet për muaj të tërë edhe pse unë kam 3 muaj që po flas dhe po shkruaj letra e po komunikoj në mënyrë institucionale, në mënyrë të hapur me partinë se plani i tatimeve dhe doganave është realizuar kaq dhe aq e madje bëjnë krahasime të ndryshme për të hutuar njerëzit. Krahasime me gjashtë mujorin e parë të këtij viti, krahasime me tetë mujorin e pare dhe pasi folëm në Skrapar para disa ditësh, dje na hiqen 4 gjoja drejtues të doganave meqenëse nuk është realizuar plani i të ardhurave. Këto ndryshime çfarë problemesh zgjidhen? Çfarë prespektive krijuan? Çfarë formash nxitën përpara? Këto janë thjeshtë për të mbuluar autorin e vërtetë të problemeve të sistemit tonë doganor dhe tatimor, për të mbuluar një fenomen mjaft të rrezikshëm, i cili ka të bëjë me keqpërdorimin e këtyre dy shtyllave të të ardhurave të buxhetit të shtetit për qëllime personale. Nuk gënjehet më dhe nuk mashtrohet më askush nga heqjet e disa drejtorëve, nëndrejtorëve dhe shefave të sektorëve, sepse të tjerë kanë për tu vendosur në vend të tyre dhe të njëjtat gjëra kanë për të bërë edhe ata. Sepse me nepotizëm dhe politik personale dhe jo transparente nuk mund të modernizohet sistemi ynë tatimor dhe doganor dhe se me mashtrime që çdo muaj në fillim të vitit deklarohen realizime dhe në fund fare  fondet e investimeve kalojnë për të mbuluar deficitin, për mos realizim të ardhurve ne nuk mund të vazhdojmë të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur nuk shikojmë. Nuk ka sesi të modernizohet sistemi doganor dhe tatimor me këto ndërrime kaq të shpeshta, kaq të paarsyeshme, kaq absurde të drejtuesve në të gjitha nivelet. Saqë nuk arrihet ti thuhet një drejtori puna e mbarë sepse menjëherë duhet ët ngushëllohet sepse largohet. Ne e dimë se për fat të keq opozita akoma është e papërgatitur për të qeverisur vendin. Opozita nuk ka një alternativë më të mirë se alternativa e Partisë Socialiste. Nuk ka potenciale më të mëdha dhe më cilësore se sa Partia Socialiste. Ndaj le ti zëmë këto potenciale, ndaj le ti vëmë në lëvizje drejt 12 Tetorit për të fituar zgjedhjet dhe për të vazhduar rrugën e reformimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, për të vazhduar integrimin evropian të vendit, për të mos lejuar askënd të spekulojë me Partinë Socialiste të spekulojë me ju, të spekulojë me të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të fëmijëve tuaj. Rroftë Partia Socialiste! Rrofshin socialistët shkodran! Fitore në zgjedhjet e 12 Tetorit!

Kryetari i partisë socialiste Shkodër Ndue Doda në një konferencë për shtyp deklaroi se nuk bëhej fjalë për një takim institucional. Ai mohoi të ketë marrë një njoftim zyrtar apo qoftë edhe me telefon nga Ilir Meta. Kryetari i Partisë Socialiste Shkodër e emërtoi takim të përfaqësuesve të opozitës me socialistin Ilir Meta i cili vendosi një ditë të bukur të shkojë drejt Shkodrës pa zgjedhur as kohën dhe as momentin e duhur. Kryetari i Partisë Socialiste Ndue Doda deklaroi edhe shkarkimin e Oltion Lulit nga posti i sekretarit organizativ, pikërisht ndërsa ky i fundit mikëpriste ish kryeministrin Meta.

Ndue Doda: Zoti Luli nuk është më sekretar administrativ i Partisë Socialiste të Shkodrës sepse sipas statutit ai nuk plotëson kriterin për të qenë sekretar organizativ i Partisë Socialiste sepse nuk është më kryetar i FRESSH, i të rinjve në Shkodër./tvklan.al