Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetmja opozitë reale në vend.
Për Ilir Metën bashkëpunimi i Ramës me Berishën për interesa personale dhe jo për interesa publike vërteton se socialistët nuk po bëjnë opozitë të vërtet.
Ilir Meta: “Kryetari i Partisë Socialiste është si një flutur shumëngjyrëshe që ka rënë në merimangën e Berishës”.
Lajmin e largimit të disa anëtarëve të partisë së tij për të marrë teserën e Partisë Socialiste Meta e quan trillim.
Ilir Meta: “Nuk ka asnjë largim nga LSI-ja, absolutisht. Këto janë shpikje të stacionit më të ri televiziv, Edi News”.
Në një kohë që komisioni i posaçëm parlamentar po punon për hartimin e kodit të ri zgjedhor, Meta shpreh shqetësimin se dy partitë e mëdha po përpiqen për të minuar procesin zgjedhor.
Ilir Meta: “Çdo përpjekje për të ngushtuar transparencën dhe administrimin e procesit zgjedhor në favor të PD-së dhe PS-së do të sjellë një minim të zgjedhjeve ende pa i nisur ato, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Duket që të dyja forcat politike janë në një ankth të madh se si të manipulojnë procesin e administrimit të votave dhe të zgjedhjeve”.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaron se pas fitores së koalicionit të kryesuar nga LSI në vitin 2009 ai do të ndihmojë aleatin e tyre të vjetër zotin Rama në punën e tij si kryebashkiak.
Eduard Shalsi: “Ilir Meta po çudit jo vetëm ne që e konsiderojmë aleat dhe ja falim gabimin që ai po bën duke u munduar të mbulojë hallet e partisë së tij me akuza për bashkinë e Tiranës. Ai po çudit të gjithë shqiptarët, megjithatë ai është miku ynë dhe ne urojmë dhe shpresojmë që ai të çlirohet nga mllefi ku gjendet jo për fajin tonë. Tirana ka dhe do të ketë edhe më shumë sipërfaqe të gjelbra.”/tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka