Gazetari: “Zoti Meta, atëherë rreth një muaj e gjysmë pasi kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare si duket vendimi që keni marrë për të bashkëpunuar me PD-në? Më duket jeni, vazhdoni t’i qëndroni idesë se është një vendim i drejtë?”
Ilir Meta: “Pas kaq kohe mund të them me bindje të plotë se jam po aq i bindur sa para se të deklaroja pranimin e ftesës për bashkëqeverisje, se ishte vendimi i vetëm i drejtë dhe i dobishëm jo vetëm për LSI-në por në radhë të parë për vendin, për stabilitetin e tij, për zhvillimin dhe integrimin e vendit dhe fakti që ky ka qenë një vendim kaq i drejtë ka të bëjë me atë qetësinë e situatës, e cila nuk duhet të harrojmë se ishte tepër e konfliktuar në mënyrë artificiale dhe mjafton të shikoni dhe qetësinë sot këtu në plazhin e Dhërmiut dhe të shikoni të gjithë plazhet e Shqipërisë, ku njerëzit vazhdojnë jetën e tyre mëse normale për të konfirmuar dhe njëherë drejtësinë e atij vendimi.”
Gazetari: “A kanë filluar negociatat për qeverinë e re dhe çfarë prioritetesh programore keni?”
Ilir Meta: “Nuk ka asnjë negociatë pasi është deklaruar nga dy palët se kjo do të ndodhë në një periudhë sa më pranë limiteve kushtetuese për mbledhjen e parlamentit dhe për formimin e qeverisë së re për dy arsye, mendoj unë, të cilat janë shumë të qarta dhe konstruktive sepse e para qeveria aktuale duhet të përmbushë detyrimet e saj deri në fund të mandatit, pra derisa të zëvendësohet nga një qeveri e re dhe së dyti sepse të dy palët kanë një program, pra sikurse Partia Demokratike, e cila ishte në pushtet dhe vazhdon të jetë dhe në qeverisje, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim që do të thotë se programi ynë është i qartë, prioritetet tona janë të qarta. Ka përputhshmëri në shumë elemente dhe emëruesi i përbashkët i programit të këtij koalicioni është pikërisht integrimi evropian dhe reformat që duhen bërë për të përshpejtuar këtë proces madhor për vendin”.
Gazetari: “Brenda kësaj qeverisje do jetë edhe zgjedhja parlamentare, edhe zgjedhja e presidentit. Çfarë mendimi keni? Do vazhdojë bashkëpunimi?”
Ilir Meta: “Absolutisht që vendi ka nevoje për një qeverisje të qëndrueshme, vendi nuk ka nevojë për eksperimente të dështuara, sikurse ka ndodhur të kaluar me qeveri teknike ku hyjnë qeveritë të gjithë, ku nuk ka opozitë, pra ka nevojë për një qeveri me përgjegjësi politike dhe kjo është do të thosha një qeveri që vjen nga një vullnet politik shumë i fuqishëm, ashtu sikurse ka nevojë për një opozitë shumë të fuqishme që të kontrollojë qeverinë, që të ballafaqohet me të, por dhe të bashkëpunojë në interes të vendit dhe në këtë drejtim unë jam i bindur se ky koalicion do të jetë jo vetëm i qëndrueshëm, do të jetë jo vetëm i suksesshëm, jo vetëm efikas, por do të jetë një koalicion që besoj se nuk do të funksionojë asnjë ditë më pak se katër vite të plota kalendarike.”/tvklan.al