Ilir Proda, 41 vjeç u zgjodh mes 15 kandidatëve të cilët u vlerësuan nga Komisioni i Posaçëm i Ministrisë së Brendshme. 5 prej tyre u renditën me rezultatet më të mira, por sipas Ministrisë së Brendshme pikët maksimale i fitoi Ilir Proda. Vendimi i qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.
Në përfundim të garës, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaron se procesi ishte konkurrues.
Ilir Proda i përket gjeneratës së re të oficerëve të policisë së shtetit, të cilit i besohet drejtimi i 12 mijë punonjësve. Me një karrierë prej 19 vitesh, Proda e nisi rrugëtimin e tij në komisariatin nr.3 në Tiranë, në vitin 2005. Në vitin 2013 ai mori post drejtues për herë të parë, atë të shefit të komisariatit nr.2 në kryeqytet. Pozicione drejtuese më pas ka patur në Drejtorinë e Përgjithshme kryesisht në hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë, zëvendës drejtor në Korçë dhe Elbasan. Në këtë të fundit prej marsit të vitit të shkuar mban pozicionin e drejtorit të qarkut.
Më të vlerësuarit:
Altin Mena
Ardian Çipa
Ilir Proda
Neritan Nallbati
Skënder Hita
Karriera e Ilir Prodës:
-Gusht 2005 – Nëntor 2011, Komisariati Nr.3 Tiranë
-Nëntor 2011 – Mars 2012, Komisariati Nr.4 Tiranë
-Mars 2012 – Qershor 2013, Policia e Shtetit, seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit
-Qershor 2013 – Tetor 2013, në Policinë e Lezhës
-Tetor2013 – Dhjetor 2014, Shef Komisariati Nr.2 Tiranë
-Dhjetor 2014- Shkurt 2016, Shef Komisariati Bulqizë
-Shkurt 2016 – Maj 2017, Seksioni për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
-Maj 2017 – Korrik 2019, Drejtoria e Përgjithshme, Njësia për hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë
-Korrik 2019 – Tetor 2021, Zv.Drejtor për hetimin e krimit në Korçë
-Tetor 2021 – Mars 2023, Zv.Drejtor për hetimin e krimeve në Elbasan
-Mars 2023 Drejtor i Drejtorisë Vendore i Policisë së Elbasanit
Klan News