Kryesuesi i delegacionit të përhershëm shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës Ilir Rusmali, i sapo kthyer nga Strasburgu ka artikuluar edhe një herë me hollësi rezolutën e miratuar për Shqipërinë në këtë asamble.
Ilir Rusmali: “Theksojmë fort që Shqipëria pavarësisht bojkotit nuk ka krizë të institucioneve. Theksojmë fort që nuk ka bllokim të proceseve tona integruese, pastaj theksojmë fort dhe mesazhet e tjera të rëndësishme anti-bojkot dhe pro dialogut. Por unë do të doja të evidentoja në mënyrë të veçantë amendamentin besoj unë më thelbësor, amendamentin tonë numër 5, që lidhet me nenin 7 të rezolutës, i cili largon çdo lloj mundësie për keqpërdorim të mesazheve që na vijnë nga komuniteti ndërkombëtar, sepse ky amendament dhe ky nen i rezolutës i thotë politikës në Shqipëri “respektoni shtetin ligjor”, “respektoni rregullat e lojës”, “respektoni Kushtetutën”.
Sipas Ilir Rusmalit, europarlamentarët janë shprehur qartë se kushti i Ramës për hapjen e kutive është i pa arsyeshëm dhe antikushtetues, ndërsa bojkoti është i pa kuptimtë.
Ilir Rusmali: “Komision hetimor për zgjedhjet në Shqipëri do të thotë në mënyrë përfundimtare komision që respekton kuadrin ligjor dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kërkesat që z. Rama përpiqet sot e gjithë ditën t’i përsërisë gati në mënyrë automatike, kanë marrë përgjigje drejtpërdrejt dhe përfundimtare nga gjykatat shqiptare. Sigurisht që njeriu është i lirë të mos dëgjojë asnjë zë dhe asnjë autoritet, por gjithsesi kjo nuk na obligon ne që të pranojmë absurdin të bëhet pjesë e politikës shqiptare”.
Rusmali duke risaktësuar pozicionin e maxhorancës, ka përsëritur qëndrimin e saj për të pranuar Presidentin e Republikës si iniciator të negociatave pozitë-opozitë./tvklan.al