Komisioni i ligjeve ka nisur diskutimet e nismave të Partisë Socialiste të prezantuara në Kuvend më 25 Shkurt.

Përfaqësuesit e dy forcave politike kanë mbajtur të njëjtat pozicione. Shumica i ka kundërshtuar ato duke i cilësuar si antikushtetuese dhe duke argumentuar se cenojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Socialistët duke këmbëngulur se nismat e tyre janë ligjore dhe të bazuara në Kushtetutë. Përfaqësuesit  e të majtës kanë akuzuar mazhorancën se nuk po tregon vullnetin e duhur për të bërë transparencën e zgjedhjeve.

Eduart Halimi: Kjo që kërkoni është antikushtetuese. Juve nuk mund të hetoni mbi gjithçka dhe në gjithçka. Juve nuk mund të merrni çdo provë që dëshironi, madje dhe ato që janë nënshtruar një shqyrtimi gjyqësor. Juve nuk mund të na kërkoni neve që t’ju lejojmë të bëni rivlerësimin  dhe rinumërimin kur këtë kërkesë jua ka rrëzuar gjykata me vendim të formës së prerë”.

Vasilika Hysi: “Del hapur, se mazhoranca është haptas kundër parimit të transparencës të zgjedhjeve që është elementi themelor i një demokracie. Në fakt duke injoruar rolin që luan Komisioni Hetimor Parlamentar injorohet përfundimisht e drejta e parlamentit për të hetuar zgjedhje të përgjithshme ose vendore kur ¼ e deputetëve e kërkon këtë, e tregon faktin se ju nuk pranoni pra që të bëhet detyrimisht kontrolli kushtetues i zbatimit të ligjeve .”

Të dyja palët i janë referuar Kushtetutës por edhe raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 Qershorit në përpjekje për të hedhur poshtë argumentet e palës tjetër.

Edi Paloka: “Nuk është ky argument që janë manipuluar zgjedhjet në Shqipëri. I vetmi argument që jep Ruzhdia, është që rruga që duhet të ndiqni është prokuroria. Nxirrni ca karta identiteti që në fakt është Gramozi që duhet të hetohet për ato karta. Duhet të shohim si i kanë vajt pikërisht Gramozit këto karta të identitetit në dorë edhe nga militantë të Partisë Demokratike. Më vjen mirë që keni marrë më në fund raportin e OSBE-së dhe të ODIHR-it dhe po flisni për vërejtjet e atij raporti. Ai raport nuk ka nevojë për hetim, sepse ai ka konstatuar gjërat. Në qoftë se vërtet vullneti juaj është që ne të rregullojmë ligjet dhe gjithë kornizën ligjore për zgjedhjet e ardhshme, hajde të ulemi në bazë të atij raporti, t’i rregullojmë gjërat ne i kemi në dorë.”

Duke patur parasysh numrin e madh të deputetëve  që kishin kërkuar të drejtën për të diskutuar  pas rreth 120 minutave debate dhe batutash kryetari i komisionit të ligjeve, Rusmali ka kërkuar vazhdimin e diskutimeve për ditën e hënë kur pritet dhe të ketë një votim në parim për 2 nismat e Partisë Socialiste. Nisma që kërkojnë hamendimin e ligjit aktual për komisionet hetimore parlamentare./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka