Vetëm pas një orë fjalim para socialistëve në Asamble, kryeministri Edi Rama preferoi t’i shpallte në fund ndryshimet në qeverinë e tij, duke sjellë edhe surpriza dhe prekur dikasteret kyçe të Ekzekutivit shqiptar.
Edi Rama: Menjëherë pas këtij takimi do t’i dorëzoj Presidentit të Republikës propozimet për disa ndryshime në qeveri si më poshtë: Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Ministër i Brendshëm, Ervin Hoxha, Ministër i Financave, Petrit Malaj dhe Ministër i Mbrojtjes,Pirro Vengu
Po cilët janë ministrat e rinj në qeverinë Rama? I propozuari për postin e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu nga viti 2019 deri më tani ushtron detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit. Vëngu ka qenë më parë dhe Drejtori i Zyres Antikorrupsionit ne Kryeministri.
Një lëvizje e fortë ishte dhe ajo e ndryshimit të ministrisë së Brendshëm, duke propozuar një emër jo politik. Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha më parë ka mbajtur postin e kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Ai ka qenë edhe drejtor i Shërbimit të Provës dhe Drejtor i Mbrojtjes së Dëshimtarëve.
Petrit Malaj, i propozuar si kryefinancieri i qeverisë shqiptare zëvendeson Ervin Meten. Para pak muajsh Malaj ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Edi Rama: Do t’i propozoj grupit parlamentar që në një seancë të menjëhershme dhe të posaçme të Kuvendit të Shqipërisë t’i japim gjithë mbështetjen tonë Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit.
Propozimi për të qenë kryetare e re e Kuvendit, si pasuese e Lindita Nikollës, duke se ishte surprizues edhe për vetë Elisa Spiropalin.
Rama nuk u ndal me kaq, duke shpallur edhe riformatimin e mëtejshëm të përfaqësuesve politik socialist në Parlament.
Çuçi nga kryetar i grupit parlamentar të PS-së do të jetë nënkryetar i Kuvendit, duke zëvendësuar Ermonela Felajn.
Nga sesioni i ri kuvendor, kryetar i grupit parlamentar të PS-së do të jetë Niko Peleshi, i cili largohet si ministër pas afro katër vitesh.
Ashtu siç edhe paralajmëroi, Rama pas Asamblese iu drejtua menjëherë Presidencës për t’i dorëzuar kreut të shtetit Bajram Begaj propozimet për ndryshimet e reja në qeveri.
Ndërsa nesër pritet të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e grupit parlamentar të PS-së.
Ndërsa janë në pritje të dekretimit nga ana e presidentit Begaj, socialistet mund të thërrasin një seancë plenare të jashtëzakonshme, duke votuar ndryshimet në qeveri dhe ato në Parlament.
Tv Klan