Deputetët rusë kanë propozuar një projekt-ligj që synon t’u japë imunitetit të përjetshëm ish-Presidentëve të Rusisë edhe pasi të kenë lënë detyrën.

Një projekt-ligj i tillë do t’i garantonte mbrojtje të përjetshme Presidentit aktual Vladimir Putin kur ai të vendosë që të largohet nga posti.

Sipas ligjit aktual rus, Presidentët nuk mund të ndiqen penalisht për krime që mund të kenë kryer kur kanë qenë në detyrë. Propozimi për të ndryshuar këtë ligj synon që ish-drejtuesit e shtetit rus të kenë imunitet të përjetshëm edhe kur nuk janë Presidentë.

Që ky projekt-ligj të miratohet duhet të kalojë në 3 seanca në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus, të rishikohet në Dhomën e Lartë dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Putin.

Projekt-ligji i ri ndërlikon edhe procesin e heqjes së imunitetit ndaj një ish-Presidenti nëse do të kërkohet nga hetuesit për akuzat e tradhtisë së lartë ose krime të tjera të rënda. Kështu, për t’u hequr imuniteti do të duhet të jepet miratimi nga Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese, ku gjyqtarët e këtyre dy institucioneve emërohen nga Presidenti.

Nëse këto dy gjykata aprovojnë heqjen e imunitetit, dy dhomat e Parlamentit rus duhet të mbështesin mocionin me 2/3 e votave.  /tvklan.al