Materniteti “Koço Gliozheni” bëhet materniteti i parë në vendin tonë i cili fut një risi në fushën e mjekësisë. Procesi in vitro, u vjen në ndihmë të gjitha çifteve të cilët kanë dëshirë të bëhen prindër dhe të kenë një fëmijë, por për shkak të kushteve biologjike, moshës ose dhe faktorë të tjerë e kanë të pamundur.

Ka shumë çifte që kanë dëshirë të jenë prindër, por janë të privuar jo vetëm nga faktorët biologjikë, por dhe ato financiarë. Procedura të tilla janë shumë të kushtueshme në spitalet private. Por, nisma e qeverisë shqiptare ka bërë të mundur që të tilla procedura të jenë dhe në spitalet shtetërore, duke mbuluar të gjitha kostot.

Dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, Orion Gliozheni dhe Genci Hyska në studion e “Rudina” në Tv Klan informojnë publikun për këtë procedurë.

Ka plot çifte që kanë nevojë, por nuk kanë mundësi që ta bëjnë në strukturat private. Krijimi i këtyre mundësive në një spital publik hap një portë të re dhe një mundësi të re për këto çifte. Sigurisht që duhen plotësuar dhe kriteret përkatëse. Në kushtet aktuale ku dhe popullata e Shqipërisë ka më pak lindje nga sa ka pasur më parë, një pjesë e madhe e çifteve kërkojnë të kenë një shtatzëni në një moshë më të madhe nga sa natyra ka bërë kohën e duhur për të pasur një fëmijë dhe kjo bën që të shtohen shifrat e infertelitetit, të ulet numri i lindshmërisë dhe për pasojë dhënia e kësaj mundësie dhe në spitalet publike është një arritje shumë e madhe, sidomos për shëndetësinë shqiptare”, tha mjeku Orion Gliozheni.

Vitin e kaluar laboratori i teknologjisë së lartë që ofron procedurën in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni” kishte kapacitet për ta ofruar këtë shërbim falas për 100 persona. Teksa më 17 Dhjetor të vitit që sapo lamë pas erdhi në jetë dhe fëmija i parë nëpërmjet kësaj procedure. Drejtori i këtij materniteti, Genci Hyska, duke falenderuar stafin e maternitetit, shprehet optimist për realizimin e të tjera rasteve të suksesshme. Ai shtoi se synimi i mëtejshëm është që kapaciteti i ofrimit të këtij shërbimi mjekësor të jetë mbi 100 persona në vit.

“Është një sipërmarrje goxha e vështirë. Është një sipërmarrje për të cilën e themi edhe me krenari deri diku sepse kemi orë pune e ditë të tëra së bashku me stafin e mrekullueshëm që punon aty, për ta realizuar dhe tejkaluar këtë sfidë që na u vu përpara. Ndërsa për sa i përket rastit konkret, unë do të evidentoja vetëm një element, që Erida, nëna e fëmijës ka qenë një besimplotë e palëkundur që unë do të jem rasti i parë. Që në momentin që është paraqitur në qendrën e riprodhimit mjekësor të asistuar, ka besuar dhe e ka deklaruar me forcë gjatë gjithë kohës që ‘unë do të jem rasti i parë që do të jem pozitive’ dhe ‘do të jem rasti i parë që fëmija im të jetë i pari i lindur me këtë procedurë’. Ka qenë në 10 rastet e para që deri diku ishin një sfidë e provë për klinikën, për të parë dhe funksionimin e pajisjes, sepse duhet të evidentojmë që ky është një laborator i një teknologjie të lartë. Ka filluar si një investim, por me kalimin e kohës dhe nga vështirësitë e realizimit, një pjesë e pajisjeve ishin në gjendje në institucion, por nuk kishin arritur që të vendoseshin në punë për arsye nga më të ndryshmet. Por, që me emërimin tim në detyrë, një detyrat që mu vu ishte qendra e realizimit të riprodhimit mjekësor të asistuar”, tha mjeku Genci Hyska./tvklan.al