Një histori shumë e veçantë u rrëfye në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga Hyqmeti. Veç vështirësive që ka patur jeta e prindërve të tij, lindja e Hyqmetit përbënte rrezik si për të, ashtu edhe për nënën. Mes emocionesh, Hyqmeti tregoi se si ishte mjeku Koço Gliozheni ai që shpëtoi nënë e bir.
Për këtë arsye, ai ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, djalin e tij, Orion Gliozhenin në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës që ka lënë pas babai i tij. Sapo hapet ekrani, dr. Orioni ndan edhe një detaj tjetër nga takimi i tij me Hyqmetin.
Dr. Orion Gliozheni: Prapë në njëfarë mënyre lidhet me profesionin tonë, por këtë radhë është im atë që ka qenë një nga themeluesit e shkollës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Shqipëri dhe që me Hyqmetin ka një histori shumë të bukur, as unë nuk e kam ditur, e kam marrë vesh kur jam njohur me Hyqmetin vite përpara dhe kam edhe në zyrën time një tablo të madhe ku Hyqmeti ka shkruar shumë bukur dhe të përmbledhur se çfarë vuajti nëna e tij për të lindur Hyqmetin.
Më pas, Hyqmeti i shprehu mjekut mirënjohjen e tij të thellë dhe të përzemërt.
Hyqmet: Doktor Orioni, të përshëndes! Kam shumë kënaqësi që të kam përballë dhe në një studio të tillë. Mirënjohje! Unë dua të shpreh mirënjohje për atë burrin e madh për atë doktorin e famshëm, për atë gjinekologun me emër që më dha mua jetë, më shpëtoi nënën që unë mos të rritesha jetim ndaj dhe e kisha si një detyrim moral, si për t’i thënë asaj nënës time që unë ia përcolla mirënjohjen, jo doktorit, por të birit. Të falenderoj që të kam përballë dhe të shpreh këtë mirënjohje!
Dr. Orion Gliozheni: Faleminderit ty! Ishte vërtet një surprizë, mendova se do të ishte ndonjë grua që ka lindir, që ka pasur probleme por gjithseis nuk jemi larg edhe këtij skenari por kjo juaja është vërtet një histori shumë e bukur që i përket ca viteve kur edhe kushtet e mjekësisë nuk ishin të njëjta me ato që kemi sot. Sot mund të bëhet ndoshta më tepër sesa ç’mund të bëhej atëherë kur mjekët kishin vetëm stetoskopin në dorë dhe vinin diagnozën në bazë të shenjave klinike, pa pasur një ekografi, skaner siç janë sot etj.
Hyqmet: Prandaj është i madh doktor Koço Gliozheni dhe ju të jeni krenar për atë baba që i dha emër vetes, familjes por la atë mesazh të madh që doktorët dhe sidomos gjinekologët, janë ata që dinë të bëjnë më të mirën për jetën!/tvklan.al