Procesi in vitro ofrohet falas në maternitetin “Koço Gliozheni” prej gati një viti, duke mbuluar të gjitha kostot e procedurës dhe medikamenteve të nevojshme. Procedura të tilla në spitalet private kushtojnë shtrenjtë, duke arritur shifrën e 5-6 milionë lekë të vjetra.
Por, në këtë maternitet ky shërbim ofrohet falas për ato çifte të cilat kanë dëshirën e madhe për të pasur një fëmijë, por nuk kanë mundësi. Nga studioja e “Rudina” mjeku dhe njëkohësisht drejtori i maternitetit, Genci Hyska tregoi hapat që duhen ndjekur për të përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për të marrë këtë shërbim.
Genci Hyska: Ne në web-in e institucionit kemi gjithë informacionin e nevojshëm për sa i përket kësaj qendre dhe çdo njeri që ka akses në internet mund ta shkarkojë atë material dhe aty ka të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm që duhet të plotësoje me mjekun e familjes, me gjinekologun e njësisë ku banon dhe pasi plotëson këtë dokumentacion kalon tek komisioni mjekësor i joni, i cili bën dhe një herë një rivlerësim nga e para dhe një krehje të gjithë dokumentacionit. Kurse një person i cili nuk ka akses në internet mundet të marrë pjesë, pasi Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë në të gjitha drejtoritë rajonale udhëzuesit përkatës me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që duhet të plotësojë ta plotësojë një çift përpara se të vijë në institucionin tonë. Aty pastaj bëhet dhe një rivlerësim ku shikohet se cilat janë çiftet që plotësojnë kushtet nga ana mjekësore për t’iu nënshtruar kësaj procedure. Jemi në një fazë ku kemi 79 raste që po i përgatisim, nga këto 30 janë realizuar, nga të cilat 21 janë realizuar me transfertë embrionale dhe 9 raste i kemi të suksesshme. Përqindja na shkon në 45%.
Rudina Magjistari: Ka ndonjë seleksionim sa i përket nivelit financiar të çiftit apo nuk ka lidhje? Të gjithë janë të barabartë.
Genci Hyska: Me paketën që ka akorduar qeveria shqiptare, mbulohen shpenzimet për dy procedura. Pra nëse dështon procedura e parë, ky çift ka të drejtë të bëjë dhe një procedurë të dytë. Pas dështimit të procedurës të dytë ky çift pastaj ka një përqindje të ulët. Dy procedurat janë falas dhe të gjitha çfarë nevojiten janë falas.
Orion Gliozheni: Meqë numri në fillim ka qenë në 100 raste, kriteri i parë është mosha dhe e dimë që sa më e madhe të jetë mosha, aq më të pakta janë shanset për të pasur një shtatzëni. Për t’u lënë mundësinë e përfitimit çifteve që kanë mundësitë më të mëdha, kemi vendosur si kriter të parë moshën 40 vjeç. Pastaj ka dhe kritere të tjera specifike që lejojnë të përfshihesh në këto procedura ose jo. Çifte në moshë dhe që nuk kanë një shkak absolut, apo të mundur që ti ta përfshish, pra që ka një shkas për të ngelur shtatzënë. Prandaj janë vënë këto kritere për të pranuar njerëz të cilët kanë shanse të mira për të mbetur shtatzënë./tvklan.al