Zona e ndërtesave të administratës kryesore amerikane në Uashington po blindohet. Në sheshin përpara selisë së Kongresit, më 20 Janar do të zhvillohet ceremonia e marrjes zyrtarisht të presidencës nga Donald Trump, i cili në atë datë nis mandatin e dytë.

Ekziston frika se ashtu si gjatë fushatës elektorale, presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të jetë në shënjestër të atentatorëve të mundshëm, në qytetin ku 90% e votuesve zgjodhën rivalen e tij në zgjedhjet e Nëntorit.

Ndaj dhe autoritetet kanë parashikuar një varg rrjetash dhe barrierash të hekurta 48 kilometra të gjatë dhe lartësi 2 metra që rrethon sheshin ku do të zhvillohet ceremonia. Një numër tepër i lartë prej 25 mijë agjentësh të sigurisë përfshirë rreth 4 mijë policë të ardhur nga i gjithë vendi dhe 7 800 trupa specialë të gardës kombëtare do të mbikëqyrin zonën.

Autoritetet thonë se 70% e dhomave të hoteleve janë prenotuar për 20 Janarin, 25% më pak se në përurimin e mandatit të parë në 2017-ën. Parashikohen edhe disa tubime kundër Trump-it në zonat përreth Kongresit.

Tv Klan