Ish-deputeti socialist Alqi Bllako do të gjykohet për akuzën e korrupsionit në dy raste, në dosjen e inceneratorit të Tiranës, me gjykim të shkurtuar.

Pranimi i kërkesës për këtë formë gjykimi, i jep të drejtën Bllakos në rast të shpalljes fajtor, të përfitojë ulje të dënimit në masën e 1/3-ës.

Në seancën e kësaj të marte, ku ishte i pranishëm edhe vetë ish-deputeti, Gjykata e Posaçme nisi gjykimin, duke dëgjuar hetimet e SPAK.

Ky i fundit thotë se Bllako përfitoi nga Klodian Zoto dy raste pagesash, një për blerjen e një pajisje për biznesin e babait të tij.

Rasti tjetër është kërkimi i pagesës për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që ai të vijonte punën në shtet dhe të ishte ndihmues në procedurat koncensionare.

Për dosjen e inceneratorit të Tiranës, në gjyq në një proces më vete, po gjykohen edhe 11 ish-zyrtarë të tjerë, me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.

Në kërkim për të njëjtën dosje janë 8 persona, biznesmenë të cilët akuzohen se si një grup kriminal, në krye të të cilit qëndronin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përvetësuar dhe pastruar më pas paratë  për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Tv Klan