Partia Demokratike akuzon Bashkinë e Tiranës se vijon të vjedhë shqiptarët me anë të një inceneratori që sipas saj nuk ekziston. Në një dalje të posaçme për mediat, koordinatori i rajonit të Tiranës në selinë blu thotë se kompania që zotëron këtë incenerator në bilancin e saj për vitin 2023 ka deklaruar miliona euro fitime.
“Integrated Energy, kompania e famshme e inceneratorit-fantazmë të Erion Veliajt në Tiranë, ka bërë bilancin e vitit 2023, ku deklaron se ka fituar plot 7.4 milion euro. Këto kuota fitimi janë rekord, jo vetëm në Shqipëri, po në çdo vend. Ky fitim marramendës prej 47% që thyen logjikën e biznesit vjen jo prej aftësisë menaxheriale, por prej lehtësirave të krijuara nga qeveria dhe bashkia”.
Sipas selisë blu, ky fitim tregon se ky incenerator është ngritur mbi një aferë korruptive që po pasuron pushtetarët dhe po fut në kolaps bashkitë.
“Vërteton atë që ne themi prej kohësh, se inceneratori është skemë e Ramës dhe Veliajt, jo për të pastruar Tiranën, por për të pasuruar veten dhe shoqninë. Si rrjedhojë e koncensionit të Ramës, bashkitë e vendit janë futur në kolaps pasi me mbylljen e pikës së depozitimit të Porto Romanos, mbetjet për një seri bashkish depozitohen në Sharrë, te landfilli ku duhej të ishte inceneratori i Edi Ramës dhe Erion Veliajt.”
Partia Demokratike dënon me forcë vjedhje skandaloze që sipas saj “po bëhet me këtë incenerator dhe që po boshatis xhepat e qytetarëve për të mbushur llogaritë bankare të pushtetarëve”.
Tv Klan