Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë këtë të Martë në një deklaratë për shtyp, pas intervistës që ka dhënë për mediat ish-zv,kryeministri Arben Ahmetaj. Berisha e cilëson një “rrëfim të jashtëzakonshëm që u fakton shqiptarëve se kush është në të vërtetë kreu i qeverisë Edi Rama”.

“Kjo intervistë është më të jashtëzakonshmet në historinë e një shteti. Për vërtetësinë ose faktimin e vërtetësisë të akuzave të opozitës ndaj Edi Ramës dhe vërtetësisë së madhe me dokumente, faktimit nga ish-bashkëpunëtori më i ngushtë, numri dy për vite të tëra i qeverisë shqiptarë. Tashmë i përndjekur, azilant në Zvicër Arben Ahmetaj. U faktoi shqiptarëve edhe një herë se Rama është bosi, padrinua, kryetari i një organizate të mirëfilltë kriminale dhe kudo që shkon ai udhëton jo si kryeministri i Shqipërisë, por si kreu i një organizate krimnale, më e rrezikshmja në historinë e vendit, rajonit dhe Europës. Ahmetaj, zhveshi lakuriq Edi Ramën si arkitekti i krimit më të madh, kanabizimit të Shqipërisë.”


Më tej, Ramën dhe kryebashkiakun Erion Veliaj i quan “pronarët e vërtetë të Inceneratorit të Tiranës”.

“Faktoi ose u tregoi shqiptarëve se pse Erion Veliaj qarkullon i lirë pasi ka firmosur djegësin e Tiranës, ku është vetë kryetar bashkie. Duke pohuar se këta dy janë pronarë të vërtetë të një objekti që ka kushtuar 130 mln euro dhe nuk ekziston as në themele”, thotë Berisha.

Pas më shumë se një viti e gjysmë në arrati, Ahmetaj ka rreshtuar së fundmi akuzat ndaj Ramës, por nuk ka kursyer as kreun e SPAK Altin Dumani. Ai është shprehur se ndaj tij vijojnë kërcënimet, po nga të njëjtit persona.

/tvklan.al