Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Incidente të reja në Kosovë megjithë uljen e krimeve ditët e fundit. Dje në fshatin Kllokot në zonën e dislokimit të trupave amerikane të KFOR-it janë gjetur të vrarë një djalë 14-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare ndërkohë që janë edhe pesë të plagosur të gjithë serb. Për këtë ngjarje ka protestuar ashpër Ministria e Jashtme e Rusisë, ku janë akuzuar shqiptarët se po kryejnë një spastrim etnik ndaj serbëve të mbetur në Kosovë.
Presidenti i Jugosllaisë së mbetur Sllobodan Millosheviç nga ana e tij ka akuzuar trupat paqeruajtëse se nuk i mbron serbët nga sulmet e shqiptarëve. Ndërkohë burime nga komanda e përgjithshme e KFOR në Prishtinë theksojnë se gjatë tre ditëve të fundit është ulur numri i krimeve të rënda në të gjithë Kosovën.
Ndërkaq kanë filluar të përçahen forcat opozitare në Serbi. Vuk Drashkoviç njëri prej kundërshtarëve më të njohur të regjimit në fuqi ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në mitingun e madh të 19 Gushtit në Beograd kundër presidentit Millosheviç. Po ashtu një deklaratë të tillë e ka bërë edhe gjenerali Perishiç, ish-shefi i shtabit të ushtrisë Jugosllave deri pak kohë përpara bombardimeve, lideri i partisë opozitare lëvizja për demokraci./tvklan.al