Pas publikimit të raportit të ‘Transparency International’, që e rendit Shqipërinë në vendet që kanë pësuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se korrupsioni i qeverisë po shkatërron ekonominë e vendit.
“Degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes Rama, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International. Korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga kjo organizatë, për shkak të qeverisjes aktuale, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupsionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit”, shkruan kreu i PD.
Kryedemokrati thotë se kjo është arsyeja përse qeveria ka hartuar paketën “antishpifje”, që media të mos denoncojë rastet korruptive.
“Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia. Ja pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipëri”, përfundon reagimin e tij Lulzim Basha. /tvklan.al