Shqipëria ka përmirësuar pozicionin e saj me 5 pikë në rang global në luftën ndaj korrupsionit. Kjo është bërë e ditur në raportin më të fundit të Transparency International për vitin 2024 që e rendit Shqipërinë me 42 pikë ose 5 pikë plus krahasuar me vitin 2023.
Në bazë të raportit global të Transparency International, vendi ynë lë pas disa vende të rajonit.
Në lidhje me raportin foli edhe Kryeministri Edi Rama duke nënvizuar se Shqipëria ka sot pozicionin më të mirë që ka patur ndonjëherë.
“Shqipëria ka një pozicion me pesë pikë plus në renditjen e këtij raporti në luftën kundër korrupsionit, duke pasur përparimin më të madh nga të gjitha vendet e tjera, bashkë me Kosovën. Ndërkohë, që vendet e tjera në rajon janë me rënie, edhe Mali i Zi është aty ku ishte vjet. Sot, në raportin për korrupsionin të Transparency International që është një raport global, Shqipëria ka pozicionin më të mirë që ka pasur ndonjëherë”, tha Edi Rama.
Sipas Ramës, lufta kundër korrupsionit është një luftë që bëhet frontalisht dhe çdo segment bën punën e vetë në këtë luftë, kjo edhe falë transformimit që vendi ynë ka bërë tërësisht me shërbimet e veta online.
Klan News