Infeksionet respiratore kanë ardhur në rritje te moshat pediatrike, por edhe të fëmijët më të rritur. Mjekët pediatër thonë se jo vetëm ka rritje të rasteve por edhe shumëllojshmëri problematikash.

“Numri i vizitave në ditë domethënë ka shkuar në 20-25, realisht shumë është për një ditë pune. Kemi patur gastroenterite, diarre, të vjella, kemi patur infeksione në rrugët e sipërme respiratore, kemi patur raste me Covid”, tha Mandri.

Sipas pediatrit Bektash Mandri, nuk mungojnë as rastet me Covid, sidomos tek adoleshentët.

“Kam patur tre raste të moshësh 13, 14 dhe 15 vjeç, domethënë kjo ka qenë grupmosha që janë kapur. Fëmijët kanë temperaturë 39 e gjysmë, 40, domethënë për gati një javë. Pamja e fytyrës tek këto persona që janë me Covid, merr një pamje të verdhë në jeshile, ndryshe nga të gjitha patologjitë e tjera, ka një ngjyrë të veçantë, fëmijë të lodhur, fëmijë që ishin ndërruar të paktën pesë herë natën, që kullonin djersë edhe kur erdhën këtu, fëmijë që ankohen për dhimbje të kockave dhe të kolonës, klinikë të cilën e kemi gjetur vetëm te Covidi”, tha Mandri.

Pediatri Mandri u bën apel prindërve që të mos marrin antibiotik pa konsultuar më parë mjekun specialist, pasi mund të rëndojnë edhe më shumë gjendjen e fëmijës së tyre.

“Kryesisht ka dominuar temperatura e lartë, pesë ditë deri në një javë, 39 e gjysëm deri në 40, megjithëse ne i këshillojmë vazhdimisht prindërit që temperatura deri në 39 edhe mund të marrin në banesë. Po kaloi 39-tën është një kufi që duhet të vendosi mjeku për mënyrën e trajtimit dhe jo të masë në banesë. Kam patur prindër, nëna që shkojnë dhe marrin edhe antibiotikë. Është një këshillë që mos iu drejtoni farmacive. Mund të jetë një gjendje virale dhe atë e rëndon më tepër, sepse ne infeksionet virale nuk i mjekojmë dot me antibiotikë”, tha Mandri.

Gjatë një jave punë, mjekët pediatër vizitojnë rreth 100 apo 150 fëmijë. Virozat stinore deri në fund të muajit Janar, pritet të jenë në rritje, pasi sipas specialistëve edhe piku pritet të arrihet në fund Janari dhe fillim të muajit Shkurt.

Klan News