Rritet numri i të prekurve nga virusi i gripit stinor dhe ai pandemik. 

Vetëm gjatë katër ditëve të fundit laboratori i virologjisë pranë ISHP ka identifikuar 26 persona të prekur nga gripi A H1N1. 

Sipas virologëve numri i mostrave të marra gjatë javës së fundit është më i lartë se java paraardhëse, çka tregon përhapjen me shpejtësi të virusit.

Iris Hatibi: “Numri total i rasteve të analizuara dhe të rezultuara pozitive për mbajtjen e virusit të ri pandemik ka shkuar në 76 dhe ne jemi duke proceduar për të marrë analiza të tjera.”

Laboratori i virologjisë ka arritur të analizojë rreth 100 mostra në ditë, ndërsa përgjigja kthehet brenda 24 orëve.

Iris Hatibi: “Flitet për analizim të mostrave rreth 50 deri në 100 brenda 24 orëve me eficencë të plotë të laboratorit. Përgjigja e analizës jepet në sektorin e epidemiologjisë dhe prej andej shpërndahet brenda ditës në sistemin shëndetësor.”

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se numri i personave të prekur nga infeksionet respiratore gjatë kësaj periudhe janë më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

 Numri me i madh i rasteve te infeksioneve respiratore kohët e fundit vërehet ne moshat fëminore./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami