Andres Iniesta ka thënë “mjaft”. Mesfushori spanjoll, njoftoi tërheqjen nga futbolli i luajtur. Vendimin e ka bërë të ditur vetë 40-vjeçari, nëpërmjet një videoje ku shfaqet i përlotur.

Pas një karriere të gjatë dhe me suksese të shumta, Iniesta ka vendosur të varë “këpucët në gozhdë”.

Spanjolli ka fituar thuajse çdo trofe të mundshëm, por në aspektin personal i mungon ai më i rëndësishmi, “Topi i Artë”.

Sezonin e kaluar, 40-vjeçari luajti në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa nga 1 korriku është pa skuadër.

Mesfushori kishte një karrierë të suksesshme te Barcelona, me të cilët fitoi 4 Champions League, 3 Kupa të Botës për klube, 9 La Liga, 3 Superkupa të Evropës, 6 Kupa të Mbretit dhe 7 Superkupa të Spanjës.

Ai ka qenë vendimtar edhe me Spanjën, ndërsa goli i tij ndaj Holandës në vitin 2010 do të mbahet mend gjatë, pasi iu dhuroi spanjollëve trofeun e Kupës së Botës. /tvklan.al