Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka vijuar shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti i katër ditëve më parë në rajonin e Peshkopisë. Një helikopter me 3 ton mallra ushqimore, çadra dhe batanije u vu në dispozicion të familjeve të dëmtuara, ndërkohë që në zonë pritet mbërritja e të tjera ndihmave.
Hysen Arapi: “Duke ditur që nevoja kryesore e këtyre familjeve është kryesisht pajisja me çadra, ne kemi sjell këtu deri tani rreth 260 copë çadra që vlejnë për të strehuar rreth 1 mijë banorë. Asnjë lloj problemi për sasinë e çadrave, jemi të gatshëm t’ju sjellim sasinë më të domosdoshme më të nevojshme për ta.”
Grupeve komunale të inspektimit i janë bashkuar edhe ekspertë nga Tirana, të cilët do të bëjnë vlerësimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara. Sipas drejtuesve vendore tashmë është përmbyllur faza e strehimit të banorëve, për të vijuar më tej me rehabilitimin e shtëpive të dëmtuara.
Shaban Qesaraku: “Ne vemi në çdo shtëpi e cila pretendon se është dëmtuar. Përfundimin e jep eksperti që është inxhinier ndërtimi.”
Një pjesë e banorëve preferuan t’i vendosin çadrat përpara shtëpive të tyre edhe pse forcat e ushtrisë nisen ngritjen e një kampi të përbashkët në fshatin Gjoricë. Nata e kaluar u shoqërua serish me lëkundje sizmike të një amplitude të vogël, por pa pasoja për banesat pjesërisht të dëmtuara./tvklan.al