NATO planifikon të reduktojë numrin e paqeruajtësve në Kosovë për 1/3. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters KFOR-i në fillim të janarit do të ketë 10 mijë ushtarë në Kosovë.  KFOR-i është duke kërkuar të kalojë në fazën e ardhshme të operacionit, mbajtjen e prezencës ka thënë një zyrtar i lartë amerikan me kusht anonimiteti.

Ai ka shtuar se rekomandimi i bërë nga ambasadorët e NATO-s do të miratohet automatikisht në mbledhjen e ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel. Ministria e forcës së sigurisë e sheh si të mundshëm zvogëlimin e trupave të NATO-s në Kosovë.

Zëvendës ministri i forcës së sigurisë  Behxhet Bajqori shpjegon arsyet e mundshme të këtij veprimi të aleancës veriatlantike.

Behxhet Bajqori: “Reduktimi eventual i trupave të NATO-s në Kosovë tregon për një qartësi të sigurisë në Kosovë, për një gjendje vërtetë stabile edhe kjo do të bëhet natyrisht në marrëveshje me institucionet e Kosovës, me qeverinë e Kosovës, por edhe më tutje kompetent për gjendjen e sigurisë në Kosovë mbetet NATO.”

Sipas tij nuk ka ndonjë faktor  tjetër që ndikon në uljen e numrit të trupave, përveç situatës së mirë të sigurisë në Kosovë.

Behxhet Bajqori: “NATO ka plane tjera, sigurisht për angazhime të caktuara të trupave të veta  në vende tjera dhe megjithatë Kosova do të mbetet një vend ku çdo gjë do të bëhet në bashkëpunim me institucionet e Kosovës.”

Trupat e NATO-s janë vendosur në Kosovë 10 vjet më parë. Me kalimin e viteve edhe numri ti tyre  është ulur në 15 mijë ushtarë sa janë aktualisht./tvklan.al