Për herë të parë pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe një vit pas ngritjes së institucioneve të para si TMK, trupave mbrojtëse në Kosovë, ministri kosovar Femi Mujota, viziton Tiranën zyrtare dhe deklaron, se dhe Kosova do të kërkojë të behet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.  

Në ministrinë shqiptare të mbrojtjes, ministri Mujota, u prit nga homologu i tij Gazmend Oketa, me një ceremoni zyrtare. Vetëm një muaj pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ministri i mbrojtjes së Kosovës, deklaron se edhe ushtria e Kosovës do të ndjekë shembullin e ushtrisë shqiptare për tu bërë pjesë e kësaj aleance.

Femi Mujota: “Kosova ka nevojë fillimisht të ngrijë kapacitetet e veta në mënyrë profesionale, të aftësojë strukturën  e saj dhe momentet kur Aleanca e NATO-s do të mund të parashikonte përfshirjen edhe të forcës së sigurisë së Kosovës në misionet ndërkombëtare, natyrisht që do të kemi një përfaqësim të përbashkët ashtu siç është rregulli i NATO-s. Prandaj në këtë drejtim nuk kemi asnjë pengesë, por këtu do kemi të gjithë një kënaqësi të themi se tani më jemi në një rrugë të njëjtë.”

Rruga Durrës-Kukës  padyshim që është vlerësuar nga dy ministrat si një rrugë që jo vetëm do të shkurtojë kohën në aspektin gjeografik por do të ndikojë dhe në zhvillimin ekonomik mes dy vendeve.

Femi Mujota: “Kjo rrugë nuk ka si të shihet ndryshe përveç ashtu siç shihet në Shqipëri shihet edhe në Kosovë, është rrugë e perspektivës, është rrugë e zhvillimit, është rrugë e integrimit. Prandaj të gjitha perspektivat për të dy shtetet dhe për gjithë rajonin janë hapur, e konsiderojmë si një rrugë të rëndësisë të jashtëzakonshme. Pa dashur të shprehim as emocionin dhe as një çështje tjetër, por në të vërtetë nevojat praktike dhe lidhjet e natyrshme që ekzistojnë në këtë regjion.”

Gazmend Oketa: “Është një rrugë e cila sigurisht do të ketë efekte pozitive në zhvillimet ekonomike të dy vendeve tona. Është një rrugë e cila do të shkurtojë kohën e lëvizjes së mallrave dhe të qytetarëve, do të ndikojë  pozitivisht në lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë në vendet përkatëse. Një rrugë e cila do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të Shqipërisë.”

Një tjetër marrëveshje për të cilën është folur nga  dy ministrat e mbrojtjes ka qenë dhe ajo e arsimimit që do të ofrojë Akademia Ushtarake Shqiptare për ushtarët e rinjë të Kosovës.

Gazmend Oketa: “Besoj që nga vjeshta e këtij viti ushtarakët e parë kosovar do të vijnë dhe do të studiojnë Akademinë Ushtarake Shqiptare.”/tvklan.al

Gazetare: Anudena Llabani