Pas Vlorës edhe në qytetin e Durrësit shfaqen probleme me cilësinë e produkteve ushqimore.
Një kontroll rutinë nga Inspektoratit i Ushqimit në tregjet e shitjes me pakicë ka zbuluar se standardet e sigurisë edhe gjatë kësaj vere lënë për të dëshiruar.
Grupet e kontrollit kanë konstatuar se një pjesë e produkteve tregtohen jashtë afateve të skadencës, ndërkohë që kushtet në shumë prej subjekteve kanë qenë larg parametrave të vendosura nga Ministria e Bujqësisë.
Jonuz Tafili: “Ka patur probleme me etiketimin, mungesën e etiketimit, me produkte në prag të afatit të skadimit. Kemi patur probleme me bukën, furrat e bukës, në prodhuesit e verës, në tregtuesit e miellit kemi patur probleme. Në zbatim të rregullave të ligjit është marrë masa e gjobës, jo për pak subjekte për disa.”
Shumë prej produkteve janë gjetur pa etiketa, ndërkohë që rritja e temperaturave dhe ekspozimi i ushqimeve në ambient të hapur kanë shtuar rrezikun e përhapjes së epidemive.
Problem për zonën e plazhit mbeten edhe shitësit ambulantë, të cilët përveç tregtimit në kushte të papërshtatshme bëhen pengesë edhe për zënien e hapësirave publike./tvklan.al