Treguesi i shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese në vendin tonë shënoi rritje të konsiderueshme në muajin Korrik të këtij viti sipas Institutit të Statistikave.
Referuar këtij institucioni, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 35,9%, krahasuar me Korrikun e 2023. INSTAT evidenton se numri i vizitorëve rezident u rrit me 8,9%, ndërsa i vizitorëve jorezidentë arriti në 53,1%, duke dëshmuar se flukset turistike të Korrikut ishin tepër të larta.
Një tregues tjetër pozitiv i sektorit të turizmit mbetet edhe numri i netëqëndrimeve që u rrit me 16,1%, në Korrik të këtij viti krahasuar me atë të 2023, ku peshën më të madhe me 21.3% të netëqëndrimeve e zënë vizitorët jorezidentë.
Të ndarë sipas Rajoneve numri i vizitorëve jorezident të akomoduar në Rajonin Qendror ka shënuar rekord me rritje prej 74,1% në Korrik. Ndërsa Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 57%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023 sipas INSTAT.
Gjithashtu Rajoni Qendror i vendit dhe Zonat Bregdetare shënuan numrin më të lartë të vizitorëve në Korrik përkatësisht 38,3% dhe 73,1% zonat bregdetare.
INSTAT bën të ditur se gjatë muajit Korrik të këtij viti norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” rezultoi me rritje me 49,3%, kundrejt 44,8% që ishte në Korrik 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 55,4%, kundrejt 49,5% që ishte në muajin Korrik 2023.
Sipas shifrave zyrtare 8.5 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë nga veriu në jug gjatë 8 muajve të parë të këtij viti, duke tejkaluar të njëjtën periudhë të 2023 ku rezultonin 7.2 milionë shtetas të huaj.
Klan News