Një familje shqiptare prej 4 anëtarësh shpenzon jo pak, por 69 mijë lekë në muaj. Pothuajse gjysma e kësaj shume shkon për plotësimin e nevojave për ushqim. Në këtë përfundim ka dalë Instituti i Statistikave pas kryerjes së një ankete për të parë se sa dhe për çfarë shpenzojnë shqiptarët.
Anketa për buxhetin e familjes merr në analizë periudhën kohore nga 2006 në 2007 dhe është kryer mbi një kampion më se 6 mijë familjesh. Shuma totale e shpenzimeve mujore e familjeve shqiptare që vlerësohen të jenë rreth 752 mijë të tilla, arrin në 52 miliard lekë.
Sipas anketës çdo shqiptar ka shpenzuar mesatarisht 17 mijë lekë në muaj, nga të cilat 9 mijë lekë shkojnë për të blerë artikuj ushqimorë. Peshën më të madhe e zë shpenzimi për mishin dhe nënproduktet e tij.
Nga anketa rezulton se 5% e shpenzimeve mujore shkojnë për ushqimin jashtë shtëpisë në fast-foode apo bare. Duke marrë parasysh dhe inflacionin për periudhën 2000-2007 Instituti i Statistikave arrin në konkluzionin se shpenzimet reale për frymë janë rritur me rreth 1.8 herë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro