Brenda javës institucionet e Prishtinës do të zyrtarizojnë emrat e 11 ambasadorëve të parë të Kosovës.
Zv/kryeministri Hajredin Kuqi në një prononcim për TV Klan ka thënë se aktualisht po shikohet lista përfundimtare e përfaqësuesve të Kosovës në botë.
Hajredin Kuqi: “Po kryeministri dhe presidenti janë duke bërë konsultime të vazhdueshme në përzgjedhjen e kandidatëve adekuatë. Besoj që përzgjedhja ka kaluar në fazën finale dhe sipas të gjitha gjasave vendimi do të merret brenda kësaj jave për emërimin e të ngarkuarve me punë. Ne do t’i befasojmë për të mirë qytetarët e republikës së Kosovës me propozimet tona.”
Lidershipi kosovar ka vendosur kriter parësor profesionalizmin në përzgjedhjen e përfaqësuesve të shtetit të ri.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë Thaçi, beson që ky kriter do të respektohet gjithsesi, derisa dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Dardanisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë skeptikë nëse kjo mund të arrihet.
Vehbi Miftari: “Është parim politik, të cilin ne e kemi mbrojt qysh nga fillimi se të emëruarit në përfaqësi të Kosovës jashtë vendit në shtete të ndryshme duhet të jenë para së gjithash njerëz me kredibilitet të lartë”.
Lulzim Zeneli: “Ne dyshojmë se Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe qeveria e Kosovës do të bëjë një përzgjedhje meritore. Apeli jonë do të ishte se Kosova ka kapacitetet e mjaftueshme edhe intelektuale edhe politike që të kemi një përfaqësim meritor”.
Besnik Tahiri: “Kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të kenë kujdes për arsye se kjo është faza e lëndësimit të shtetit të Kosovës dhe në këtë aspekt ne kemi nevojë për diplomatë jo vetëm si figura, mirëpo diplomatë të cilët bëjnë diplomaci publike aktive”.
Brenda disa javësh Kosova do të ketë përfaqësi të saj në Uashington, Nju Jork, Bruksel, Londër, Paris, Berlin, Romë, Bernë, Vjenë, Tiranë dhe Ankara./tvklan.al