Këtë të hënë u zhvillua ceremonia e hapjes së Shkollës së Integrimit. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, mbajti një fjalë gjatë këtij takimi ku u ndal tek procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai tha se Tirana zyrtare është në pozita të favorshme dhe duket sikur “yjet janë në vijën e duhur” pasi mbështetja në vend për integrimin në BE është shumë e lartë.
“Anëtarësimi në BE është më shumë se sa një proces teknik dhe vazhdoj ta them. Është një zgjedhje breznie, mbështetur në vlerat dhe parimet themelore të unionit, që duhen në fakt reflektuar në politikën e jashtme, e të brendshme të Shqipërisë, qysh prej asaj që mësojnë fëmijët në shkollë. Mendoj që kjo shkollë mund të luajë një rol të rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin për këtë proces unik e sfidues dhe për hapat që çojnë drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria është në një pozitë të favorshme. Duket sikur yjet janë në vijën e duhur. Në Shqipëri shumica dërrmuese vazhdon të jetë mbështetëse e integrimit të vendit në BE. Dikush mund të thotë që mbështetja e Shqipërisë për BE është më e lartë edhe se mes shteteve anëtare të BE-së. Kjo është e sigurt. Ky është një avantazh i jashtëzakonshëm”, tha ambasadori.
Sipas Gonzato-s, Shqipërisë i duhet të bëjë reforma e të përfundojë transformime ekonomike e politike duke përfshirë të gjitha anët e spektrit politik dhe shoqërisë civile.
“Nuk ka kohë për të hezituar apo zvarritur sepse standardi apo piketa për çdo vendim rregullator të marrë nga ky parlamentar, qeveria apo atij vendor duhet të jenë të atij të BE-së. Paketa e zgjerimit 2024-ës e KE e miratuar në fillim të kësaj jave ofron udhëzues të qartë për atë që duhet bërë në të gjithë sektorët. Për këtë duhet udhëheqje e fortë e konsistente, mbështetje ndërpartiake e gjerë, një strukturë e konsoliduar dhe eficente e negociatave, po kështu edhe mekanizmat efikase konsultimi me aktorët e shoqërisë, duke qenë se flasim për një proces gjithëshoqëror. Shqipërisë i duhet që të bëjë reforma etike dhe të përfundojë transformime ekonomike, politike duke sjellë të gjithë aktorët, nga të gjitha anët e spektrit politik dhe nga shoqëria civile. Është një kohë mjaft entuziaste për Shqipërinë, për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe për mua do thoja sepse shkolla këtë vit vjen në momentin e duhur”, tha Gonzato./tvklan.al