Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion ka përfunduar fazën e parë të analizës për tre shtyllat për të cilat u ngrit në Maj të këtij viti. Për të ndarë me publikun rezultatet e 700 faqeve analizë nga ekspertë vendas, të asistuar nga ndërkombëtarët, ishte menduar një takim me pjesëmarrje të gjerë.
Sipas kryetarit Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama, pavarësisht akuzave mbi arsyet e fshehta të kësaj nisme, në dokumentin e parë të prodhuar në këtë fazë, ata sigurojnë se nuk ka asnjë fjalë për drejtësinë.
“Koha po provon dhe do të provojë çdo ditë e më shumë krejtësisht të kundërtën. Ashtu sikundër ndodhi dhe ndodh ende ca më shumë, me Reformën në Drejtësi”, tha Xhafaj.
“U gjet një fjalë magjike e ditëve tona, që 6 muaj të shkonin dëm. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK-un, për të kthyer përmbys Reformën në Drejtësi dhe po thurin një komplot”, u shpreh Rama.
Ambasadori i BE, Silvio Gonzato, në fjalën e tij kërkoi sërish, si dhe herë të tjera, paprekshmërinë e Reformës në Drejtësi dhe organeve të reja të dala prej saj, si dhe gjithëpërfshirje politike në këtë proces.
“Parimi udhëheqës duhet të jetë pakthyeshmëria e Reformës në Drejtësi. Është thelbësore që ekuilibrat institucionalë ekzistues dhe ndarja e pushteteve të garantohen plotësisht”, tha Gonzato.
Kryeministri, në fjalimin e tij në pjesën më të madhe u përqendrua pikërisht tek këto dy shqetësime të artikuluara nga ambasadori. Sa i takon paprekshmërisë Rama kujtoi për të disatën herë se ishte PS e drejtuar prej tij, që e ideoi dhe e miratoi me vendosmëri Reformën në Drejtësi. E me të njëjtën forcë, thotë ai, do të garantojnë paprekshmërinë e saj.
“Paprekshmërinë e së cilës, sot, nuk e garanton as Ambasada Amerikane, nuk e garanton as Ambasada e BE, por e garanton Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Por sipas kryeministrit, nëse në funksion të reformave integruese do të duhet të preket kjo reformë, ai siguron se kjo ndërhyrje do të bëhet vetëm duke patur në krah partnerët.
“Duhet të them dhe tjetrën, që çdo prekje e Reformës në Drejtësi në funksion të adaptimit dhe të përmirësimit përsa i përket detyrave të anëtarësimit, duhet të kalojë përmes BE dhe patjetër edhe SHBA”.
Sa i takon gjithëpërfshirjes, edhe pse kryeministri shprehu gatishmërinë për të mirëpritur opozitën, nëse do të ndryshojë qasje dhe të zerë vendet në Komisionin e Posaçëm, tha i prerë se nuk do të qëndrojë në pritje, derisa kjo të ndodhë. Pasi sipas tij, procesi i anëtarësimit që duhet të ndodhë me çdo kusht deri në 2030.
Ndaj Edi Rama thotë i prerë: “Ne duhet të bashkojmë të gjitha forcat e bashkueshme. Forca të pabashkueshme ne nuk bashkojmë dot. Nëse forcat e pabashkueshme duan të na bashkohen ne, ne i presim me krahët hapur. Por nuk ka shans që të ketë këtu, të paktën përsa kohë unë do të jem nën drejtimin e kësaj qeverie, duke thënë “unë nuk vij të ulem”, të na pengojë ne, që të vazhdojmë të shkojmë përpara. Ne nuk do të presim askënd. Ata që kanë një axhendë tjetër. Në rastin më të keq ne do të presim partnerët tanë kur nuk janë të bindur që ne nuk jemi duke fshehur ndonjë gjë”.
Tv Klan