Çelet gara ndërkombëtare për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Hani Hotit që lidh vendin tonë me Malin e Zi. Ajo do të jetë 120 kilometra e gjatë, do të ketë 12 stacione, 12 ura dhe një tunel në zonën e Lezhës me gjatësi 320 metra. E gjithë distanca do të përshkohet në vetëm 2 orë me shpejtësi 120 kilometra në orë. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku falenderoi mbështetjen e Bashkimit Europian me financimin 370 milionë euro për këtë projekt, 50% i të cilit është grant.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se ndërkohë ka përfunduar 80% e punimeve të hekurudhës Tiranë-Durrës me lidhje me Rinasin, por ndërkohë po punohet edhe për projektet hekurudhore Durrës-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Pogradec.
Ndërsa Ambasadori i BE në vendin tonë Silvio Gonzato vlerësoi punën që po bën qeveria për përmirësimin e infrastrukturës.
“Ne flasim gjithmonë për aspektin politik për të lidhur popujt, por harrojmë që elementi më i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me kontaktet mes vetë qytetarëve. Shqipëria po ecën përpara me reformat, BE mbetet këmbëngulëse dhe afër përpjekjeve tuaja, duke i mbështetur ato”, tha ai.
Ministria e Infrastrukturës po punon ndërkohë për hartimin e një hekurudhe që do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin dhe më pas bashkimin e tij me Rrogozhinën. Të gjitha këto linja hekurudhore do të kenë akses edhe me Porto Romanon me qëllim lehtësimin e transportit të mallrave drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Tv Klan