Që në sezonin e kaluar, tek Interi e kuptuan se kishin bërë zgjedhjen e duhur me Marcus Thuram.

Francezi me golat e tij tregoi se e kishte zëvendësuar më së miri Romelu Lukakun dhe ishte partneri i duhur në ofensivë për Lautaro Martinez.

Lojtari 27-vjeçar ka shënuar 14 gola këtë sezon, duke iu afruar shifrës së realizuar në vitin e shkuar fubollistik prej 15 rrjetash në 46 takime.

Por që 2024/2025 të përfundojë, duhen edhe 4 muaj të tjerë, duke llogaritur edhe Kupën e Botës për Klube.

Tek Interi besojnë shumë te Thuram dhe e kanë mendjen tek e ardhmja.

Kontrata francezit i përfundon më 30 Qershor 2028, por zikaltrit e dinë se paraqitjet e sulmuesit të tyre kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane.

Në kontratën e tij ka një klauzolë shitjeje prej 85 milionë Euro, por ka ekipe të cilat kanë kapacitetin ekonomik që një shifër të tillë ta shpenzojnë.

‘Sportmediaset’ raporton se në fund të sezonit Interi do të flasë me Sport Cover, agjencinë që përfaqëson Thuram, për të rinovuar kontratën duke eliminuar klauzolën.

Gjithashtu lojtarit do t’i jepet një bonus për performancën e tij dhe diskutime do të ketë edhe për rritjen e pagës.

Aktualisht Thuram merr 6 milionë Euro në vit, por oferta mund të rritet deri në 9 milionë.

Objektivi i drejtuesve është që tek Interi të ulen kostot, por me një sulmues si Thuram, sakrifica ia vlen.

Klan News