Shqipëria po bën çmos që të rrisë fluksin e turistëve kosovarë.

Tashmë 700 mijë shtretër në natë janë të gatshëm për të pritur mysafirët gjatë verës.

Zv/Ministri i Turizmit në qeverinë shqiptare, Nikollë Lesi, siguroi kosovarët se sivjet do të jetë gjithçka ndryshe, sidomos në infrastrukturë dhe pastërti.

Nikollë Lesi: “Një turizëm në mjedis, nëse mund të flas në gjuhën popullore të pistë nuk mund të ketë. Në këtë sens Shqipëria këtë vit, besoj, do ketë ndryshime rrënjësore.”

Ai premtoi se nga mesi i Majit do të hapet për qarkullim 24 orësh në ditë edhe tuneli i Kalimashit e homologu i tij kosovar, pos qytetarëve, ftoi edhe politikanët të kalojnë pushimet në Shqipëri.

“Unë personalisht nuk e kam vështirë, sepse edhe ashtu gjatë tan kohës pas luftës pushimet i kam kryer në Durrës, kështu që unë vetëm dua të besoj që edhe ministra të tjerë, e kolegë zëvendës ministrat e tjerë besoj që do ta ndiejnë veten shumë të kënaqur gjatë kohës dhe në mënyrë gjatë kohës kur ata mendojnë që do të kenë çlodhje në bregdetin shqiptar.”

Për të njoftuar zyrtarët e lartë të Kosovës rreth përgatitjeve për sezonin turistik, Lesi u takua edhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Besohet se rreth 500 mijë kosovarë pushuan në bregdetin shqiptar më 2009. Sivjet pritet të ketë edhe më tepër./tvklan.al