11,7 milionë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2024, me një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023. Shifrat u bënë të ditura nga Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se Shqipëria është në stadin e duhur sa i përket rritjes së qëndrueshme në nivel fluksesh hyrëse, si dhe ka konsoliduar një ofertë turistike dhe të diversifikuar.

Përtej rritjeve të hyrjeve turistike nga vendet e rajonit, viti 2024 ka konfirmuar rritje dhe qëndrueshmëri të tregjeve nga Evropa Perëndimore dhe ka zgjeruar hartën e tregjeve të largëta e ka afruar më shumë vizitorë prej tyre.

“Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vetëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjioz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti”.

Paralelisht me rritjen e fluksit të vizitorëve të huaj gjatë 2024, edhe Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se turizmi vijon të mbetet një nga shtyllat më të forta të ekonomisë, bazuar në të ardhurat e arkëtuara.

Klan News