Liderët evropiane i kanë shprehur solidaritetin kryeministres Meloni në Budapest ku sipas saj u diskutua edhe për kampet e ngritura në Shqipëri.
Meloni tha se ky pakt vijon të ketë një interesim të jashtëzakonshëm dhe një vëmendje pozitive nga ana e liderëve evropiane.
“Protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve në mbledhjen e komunitetit politik evropian këtu në Budapest. Vijon që të ketë një interes të jashtëzakonshëm, një vëmendje që unë e konsideroj absolutisht pozitive. Pati po ashtu një kuriozitet përsa u përket shteteve të sigurta. Ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm prek edhe shtetet e tjera. Kishte shqetësim për faktin sesi mundet që qeveritë nuk lejohen që të vendosin vetë se kush konsiderohet një shtet i sigurtë duke e rrezikuar realisht këtë koncept. Kjo kompromenton çdo përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë pata solidaritetin e tyre.”
Sipas kryeministres italiane dërgimi i azilkërkuesve afrikanë drejt Shqipërisë do të vijojë ndërkohë që edhe në Bruksel kanë shprehur habi sipas saj për qëndrimin e gjyqësorit për të kundërshtuar listën e shteteve të sigurta.
Klan News