Vala e shkarkimeve dhe dorëheqjeve që ka kapluar qeverinë e Maqedonisë nuk do t’i përfshijë ministrat shqiptarë që vijnë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Kështu siguron vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive për TV Klan.
Ahmeti tha se ndonjë ndryshim eventual në përbërjen e ministrave të BDI-së mund të ndodhë në fund të vitit dhe garanton se vendimet do të merren në mënyrë autonome nga organet partiake të BDI-së e jo nga kryeministri Nikola Gruevski.
Ali Ahmeti: “Deri tash nuk kemi ndonjë vërejtje lidhur me punën e ekzekutivit se ata kanë dikasteret që drejtojnë ministrat shqiptarë, kështu që vlerësimet e vendimet i marrim në mënyrë autonome. Bashkimi Demokratik për Integrim ka pavarësi të plotë, si politikisht dhe organizativisht dhe në momentin e duhur kur e sheh të arsyeshme që duhet të ndërrohet diçka, duhet të përmirësohet diçka, duhet të freskohet diçka këto vendime i merr të pavarura. Sigurisht që në Nëntor, Tetor ne do të bëjmë një vlerësim për situatën.”
Ahmeti po ashtu shprehet i bindur se po afrohet koha për tejkalimin e problemit të emrit të Maqedonisë si pengesë për kyçjen e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sa i përket idesë së kryeministrit Nikola Gruevski dhe presidentit George Ivanov se ndryshimi i emrit mund të bëhet vetëm përmes referendumit Ahmeti thotë se referendum për këtë çështje nuk guxon të organizohet pa një konsensus mes të gjitha partive politike relevantin në Maqedoni.
Ali Ahmeti: “Unë mendoj që edhe nëse vjen situata deri tek organizimi i një referendumi duhet të bëhet, por me konsensus politik, me konsensus të zgjeruar me të gjitha partitë politike në Maqedoni, sado të vogla që të jenë ata që ai referendum të mos dështojë, përndryshe në qoftë se shkohet me mendime të ndara në një referendum të tillë mendoj që nuk ia vlen.”
Idetë e paraqitura për federalizim të Maqedonisë ose për një marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve kryetari i BDI-së i vlerëson si të gabuara.
Ali Ahmeti: “Kërkujt nuk i ndalohet iniciativa që të marrë dhe te shfaqë bindjet e veta politike, por detyra dhe misioni im është që unë t’iu sqaroj dhe t’iu shpjegoj shqiptarëve të Maqedonisë se marrëveshje dhe dokument më të rëndësishëm sesa marrëveshjen e Ohrit ne nuk kemi.”
Dështimi i vizitës së presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu në Maqedoni, Ahmeti e vlerëson si keqkuptim mes kabineteve të dy presidentëve për të cilat është i bindur se do tejkalohen pasi të vendosen marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu