Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pas 5 vitesh që nga vrasja e liderit demokrat Azem Hajdari, një nga protagonistët dhe të dënuarit e kësaj vrasje, Jaho Salihi ndihet i penduar vetëm për një gjë, që ka qenë në vendin e ngjarjes, sepse sipas tij, vrasjen e ka bërë Fatmir Haklaj dhe Salihi nuk ka qëlluar mbi Hajdarin.
Gazetari:- A ndiheni i penduar?
Jaho Salihi:- “I penduar për çfarë”?
Gazetari:- Që keni marrë pjesë në këtë ngjarje.
Jaho Salihi:- “Po normale, unë e kam thënë publikisht disa herë, e kam thënë në gjykatë, që mua më vjen keq që jam ndodhur në vendngjarje, por unë s’e kam ditur se çfarë ka ndodhur. E kam thënë edhe në sallë të gjyqit, që unë në kam qenë në vendngjarje, por nuk e kam ditur se çfarë ka ndodhur. Më vjen keq normal”.
Jaho Salihi tregon për herë të parë, se Fatmiri ka qëlluar pa dashje dhe mbi Naim Çangun, i cili ka vdekur më pas në spital. Madje këtë të fundit e ka çuar në spital vetë Jaho Salihi, i cili është prezantuar si shef i komisariatit të Tropojës.
Jaho Salihi:- “Në spital unë jam prezantuar si shef i policisë së Tropojës, e dinë mirë ata policët që erdhën në sallë të gjyqit, pavarësisht se nuk tha. Një njeri që bën diçka me paramendim, që paramendohet vrasje, si shkohet në spital e thuhet jam filani, mund të jepja emër tjetër, por jo të thoja jam filani”./tvklan.al