Ndryshe nga takimi ynë i parë i zhvilluar në zyrën e saj menjëherë pasi kandidatura për ministre e Shëndetësisë ishte bërë publike, ku ishte e veshur sportiv dhe pa tualet. Anila Godo e përpiktë në orarin e lënë për intervistë me ne, është veshur me një kostum të përzgjedhur me kujdes edhe pse siç pohon jashtë kamerës i qan zemra për xhinsat e saj që do t’i mungojnë tani që posti i ministres i dikton një veshje zyrtare.

Me thjeshtësi dhe me një qetësi që kolegët e saj pohojnë se e karakterizon në çdo moment, ministrja e sapo dekretuar e shëndetësisë i përgjigjet pa asnjë rezervë të gjitha pyetjeve tona. Zonja Godo siç e njohin apo zonja Lena siç është dhe mbiemri i saj zyrtarë, pasi është martuar, pohon se ka nguruar kur i është bërë propozimi nga Partia Republikane për t’i ripërfaqësuar në qeveri.

Anila Godo: “Faktikisht që t’ju them të vërtetën ishte një hezitim i im i muajt të fundit që kurse mu propozua nga PR. Sidoqoftë mendoj që çdo njeri duhet të bëjë maksimumin e asaj që mund të bëj”.

Ndryshe nga sa mund të mendohet dhe babi i saj Presidenti i Asamblesë Republikane, Sabri Godo. Nuk e ka inkurajuar të pranojë propozimin që i ka ardhur nga kryetari i partisë Fatmir Mediu. Anila Godo thotë, se arsyeja që pranojë të vihet në krye të këtij dikasteri kaq problematik e me mjaft skandale të bëra publike, ishte shumë e fortë për një mjeke që punon prej 28 vjetësh në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, qendrën spitalore ku më së miri të gjitha problemet dhe mangësitë e mjekësisë shqiptare.

 Anila Godo: “Një ndër arsyet që mbas disa hezitimesh pranova të kandidojë të themi për këtë post është që duke qenë mjeke e vjetër në spital dhe në sektor të vështirë të këtij spitali dhe në funksione drejtuese për shumë vjet. Arrij të njoh, arrij të jem mirë e informuar dhe të njoh vështirësitë dhe ndoshta më mirë se dikush tjetër që është jashtë këtij konteksti të mund të zgjedhë dhe të hartoj mënyrat për të dalë nga këto vështirësi. Ky vit ka qenë vit disi i vështirë me shumë mungesa, me shumë mangësi dhe ndoshta fakti që u përballëm me këto vështirësi të prek, të nxit dëshirën për të bërë, për t’u impenjuar maksimalisht për të ndryshuar diçka më mirë. Jam nisur me këtë dëshirë, me shpresën se do t’ia arrij”.

Pasi vlerëson disa punë të mira të bëra nga paraardhësi Nard Ndoka. Zonja Godo nuk nguron ta analizojë dhe pikat e dobëta që çuan në largimin e tij nga Ministria e Shëndetësie.

Anila Godo: “Janë shumë gjëra që janë bërë gjatë këtij viti që mua më kanë pëlqyer faktikisht, megjithatë në total gjërat nuk funksionuan siç duhet. Jam e informuar, di mirë që janë hequr në disa drejtori, në ministri dhe drejtori nëpër rrethe profesionist të mirë për t’u zëvendësuar me profesionistë shumë pak më të mirë dhe me militant të partisë. Unë vërtetë do të bëjë ndryshime është normale, jo se kam qëllim në vetvete të bëj ndryshime, absolutisht jo dhe jam gjithmonë e mendimit që, ndoshta e vetmja ministri që nuk duhet të ketë ngjyrë, ose duhet të ketë një ngjyrë të zbehtë partiake është Ministria e Shëndetësisë.”

Anila Godo ka gjetur dhe strategjitë për të ndryshuar situatën në spitalet e vendit edhe pse pranon se koha që ka në dispozicion deri në përfundim të këtij mandati të qeverisë Berisha është shumë e  shkurtër.

Anila Godo: “Vërtetë janë shumë gjëra për t’u ndryshuar dhe shumë gjëra për t’u hartuar dhe për t’u vënë në jetë. Por gjëja e parë që do të bëj është që do të krijoj stafin tim dhe një rreth të ngushtë me personalitetet e shëndetësisë me të cilët do të konsultohem fort për të ndryshuar qoftë në ligjshmëri, qoftë në strategji për të krijuar atë ttë ashtuquajturën reformë në mjekësi që faktikisht deri tani akoma nuk është e qartë cila është fytyra e shëndetësisë shqiptare. Koha është fare e pa mjaftueshme dhe kjo për mua është një sakrificë. Por nuk më vjen keq, nuk më vjen keq dhe nëse arrij të bëj disa punë të cilët mund t’i vazhdojë ministri që do të jetë mbas meje”…./tvklan.al

Gazetarja: Elja Zotka

Operator: Metlin Kepi