Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Mihal Delijorgji, një nga importuesit më të fuqishëm të hekurit dhe presidenti i Dinamos është liruar në orën 15:00 nga gjykata e Durrësit, pas garancisë pasurore prej një milion dollarësh. Në vendimin e gjykatës sanksionohet vendimi për paraqitje pranë oficerëve të policisë gjyqësore që vazhdojnë hetimet dhe ndalimi i udhëtimeve jashtë vendit.

Menjëherë pas lirimit, Delijorgji është drejtuar në stadiumin “Qemal Stafa”, për të qenë i pranishëm në derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani. Delijorgji beson në drejtësinë e vendimit përfundimtar të gjykatës, ndërsa shprehet i rezervuar mbi ndonjë makinacion të mundshëm në ndalimin e tij.

Mihal Delijorgji: “Unë jam i hapur para drejtësisë, atë do ta gjykojë drejtësia dhe një moment, kur të dalë rezultati, do flasim, kam pasur të drejtë ose jo”.

Gazetari: “Shihni ndonjë makinacion të mundshëm ndaj jush në këtë ndalim?

Mihal Delijorgji: “Nuk mund të flas sot për një gjë të tillë, megjithatë do ta tregojë koha”.

Delijorgji ka siguruar dhe tifozerinë dinamovite për normalitet dhe ecuri pozitive në kampin blu.

Mihal Delijorgji: “Po për futbollin unë pasion kam, do kem dhe e kam pasur, dhe arrita pash pothuajse një pjesë ndeshje, pjesën e dytë këtu, u kënaqa është një kënaqësi. Dinamo është një ekip që është në elitën e futbollit dhe do eci vetëm përpara, këtë do ta tregojë dhe koha, që synimi im kryesor në këtë moment është që të eliminojmë një skuadër dhe të futemi në grupin e UEFA-s, kjo do të jetë sukses i dinamos për këtë vit dhe mendoj që do jetë e realizueshme”./tvklan.al

Gazetar – Rinaldo Bregasi