Lajme Arkiva 2003
Sokol Balla: Zoti Thaçi vizita juaj në Tiranë, ju keni mbërritur dje në Tiranë, koincidon edhe me ardhjen në kryeqytetin shqiptar të sekretarit Colin Powell. Ne kemi një informacion që ju keni pasur një takim 20 minuta me zotin Powell.
Hashim Thaçi: Vizita ime është një vizitë private, jam takuar me miq të ndryshëm të institucioneve të Shqipërisë.
Sokol Balla: Atëherë zoti Thaçi po e përsëris a e konfirmoni takimin tuaj me zotin Powell?
Hashim Thaçi: A keni ndonjë pyetje tjetër.
Sokol Balla: Megjithatë zoti Thaçi diçka tjetër koincidon më ardhjen e zotit Powell në Tiranë. Rino Harnish përfaqësues i zyrës amerikane në Prishtinë ka deklaruar po dje se departamenti i shtetit i quan të pranueshme një pjesë të pikave të përfshira në Moratoriumin që ju keni propozuar lidhur me kërkesat e shpeshta të shqiptarëve për zgjidhjen e shpejtë të statusit dhe të pavarësisë të pavarësisë së Kosovës.
Hashim Thaçi: Për mua, partinë dhe institucionet e vendit është mjaft me rëndësi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në parim mbështesin projektin për Moratorium dhe ky është një mbështetje që na inkurajon edhe më tepër që të punojmë në një mënyrë që të arrijmë një konsensus brenda shqiptarëve gjithë kosovarë. Mendoj se me të verat ky projekt, kjo ide së shpejti do të institucionalizohet dhe do të kemi një ngrirje të procesit negativ në Kosovë dhe do të vazhdojë angazhimi konkret për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës, për shthurjen e strukturave paralele jo legjitime në Kosovë dhe për rritjen e përgjegjësisë nga lidershipi i kosovarëve dhe mbartësve i institucioneve të Kosovës që të merren me punë konkrete në mënyrë që të krijojmë realitetin faktik të pavarësisë së Kosovës.
Sokol Balla: Zoti Thaçi kryeministri serb Zoran Dindic pak para vrasjes së tij pati deklaruar se pala negociatore më e pranueshme për Beogradin lidhur me statusin dhe të ardhmen e Kosovës do të ishte ajo pjesa e politikanëve shqiptarë të përfaqësuar në Prishtinë dhe në Kosovë nga politikanë të kalibrit të Hashim Thaçit. Si mund ta shpjegoni transformimin e ish luftëtarëve për lirinë e Kosovës, ju keni drejtuar luftën për çlirimin e Kosovës, në profilin e një politikan të moderuar dhe të pranuar nga të gjitha palët në një rajon të turbullt siç është Ballkani?
Hashim Thaçi: Ky është një angazhim në proces i prioriteteve tona politike, nuk ka ndonjë ngjashmëri mes projekteve që janë prezantuar për Kosovën dhe i idesë sime origjinale. Projekti im është një projekt që nënkupton jo ngrirjen e kërkesave të shqiptarëve por implementimin e kërkesave të shqiptarëve për pavarësi dhe demokratizim të vendit dhe gjithashtu një përkushtim më të madh për implementimin e standardeve perëndimore si kusht i domosdoshëm për të bindur botën për të njohur pavarësinë e vendit. Thjesht respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i minoritarëve, shtrirja e kontrollit të qeverisë në të gjithë territorin e vendit. Vazhdimi apo fillimi më i përgjegjshëm i privatizimit të vendeve të reja, i hapjes së vendeve të reja të punës, i krijimit të infrastrukturës ligjore bashkëkohore apo në përgjithësi mund të them implementimi i standardeve të domosdoshme që për qytetarët dhe institucionet e vendit si kusht i domosdoshëm për integrim, për bashkëpunim rajonal, për integrim euro-atantik dhe për njohje të pavarësisë së vendit. Por ky nuk është një transformim është thjesht vazhdimi i punës normale dhe përsa i përket pyetjes që gjithashtu e shtruat unë kam qenë njeri i dialogut dhe do të vazhdoj ët jem njeri i dialogut qëllim mirë.
Sokol Balla: Zoti Thaçi të qëndrojmë sërish te Moratoriumi që ju keni propozuar dhe që besoj se ndër të tjera kërkon edhe implementimin sa më të plotë të rezolutës 12,44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të Kosovës. Një nga pikat e rezolutës flet gjithashtu për kthimin e të shpërngulurve nga lufta, qofshin ata shqiptarë por sidomos të popullatës serbe. Pikërisht kjo pikë e fundit. Ajo e kthimit të serbëve në Kosovë, është një pikë tepër sensitive sidomos për serbët e Kosovës.
Hashim Thaçi: Ne ju kemi bërë thirrje vazhdimisht të shpërngulurve që të kthehen në vendet e tyre, që të jetë një kthim vullnetar institucional kosovar me mbështetjen ndërkombëtare. Gjithashtu kemi punuar që të mos instrumentalizohet nga Beogradi ky proces i kthimit dhe mund të them përsëri se të kthyerit janë të mirëseardhur në Kosovë në shtëpitë dhe në pronat e tyre, por ky proces të mos jetë i politizuar apo i instrumentalizuar nga Beogradi dhe në këtë drejtim angazhimi ynë do të vazhdojë e do të jetë edhe me i përgjegjshëm edhe si parti politike edhe si shoqëri edhe si institucione të Kosovës. Ndërsa projekti im për mbrojtjen nënkupton edhe afatizimin thjeshtë të statusit politik pasi rezoluta 12,44 me të cilën ne sot punojmë dhe respektojmë, por as korniza kushtetuese e cila e ngrin procesin e pavarësisë së Kosovës nuk janë të limitizuara në kohë.
Sokol Balla: Atëherë zoti Thaçi mbetemi sërish te çështja e moratoriumit. Fakti që ju keni propozuar një gjë të tillë a mos do të thotë se partia demokratike e Kosovës që ju drejtoni dhe ju personalisht keni hequr dorë nga opsioni i pavarësisë së Kosovës.
Hashim Thaçi: Projekti ynë nënkupton afatizimin e periudhës kohore për pavarësi dhe demokratizim e jo të shkojmë deri në pafundësi kështu siç jemi duke shkuar.
Sokol Balla: Zoti Thaçi do të doja t’ju bëja dhe një pyetje tjetër që lidhet me një tjetër moratorium, këtë radhë nga një miku juaj dhe nga një kolegu juaj politikan i shqiptarëve në Maqedoni zoti Arbën Xhaferri. Ngrirja e aktivitetit të partisë nga ana e tij dhe propozimet e tij konkrete për një shtet etnik të shqiptarëve atje, si kanë ardhur këtu te ju ndërkohë që kanë befasuar një pjesë të mirë të opinionit shqiptar?
Hashim Thaçi: Ideja ime për Moratorium e theksoj edhe njëherë është ideja ime origjinale është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, është mbështetur nga komuniteti i gjerë i ndërkombëtarë, është mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është mbështetur edhe nga një pjesë dërrmuese e shoqërisë kosovare. Projekti im për Moratorium nuk ka ndonjë lidhshmëri me projektin e zotit Xhaferri në Maqedoni. Pasi projekti im në Kosovë nënkupton dinamizmin e procesit politik ndërsa zoti Xhaferri nënkupton pushimin për një periudhe kohore të partisë politike që udhëheq.
Sokol Balla: Ne do donim mendimin tuaj për idenë dhe propozimin e tij për një shtet etnik shqiptar në rajon, të ndarë pra nga Maqedonia.
Hashim Thaçi: Ne kemi opinione të ndryshme rreth zgjidhjes së problemeve të ndryshme edhe në Kosovë edhe në Maqedoni edhe në Preshevë, apo në përgjithësi në rajon. Është mirë që kemi ide të ndryshme për të nxjerrë konkluzionin e drejtë. Ne vetëm në Kosovë kemi 4-5 opsione tani që po diskutohen. Kemi opsionin ta zëmë se Kosova është e pavarur, de facto kërkohet vetëm njohja formale, kemi opsionin që duhet shpallur menjëherë në Parlamentin e Kosovës pavarësinë që do të ngjallte reagime të ashpra te komuniteti ndërkombëtar por që kjo ide gjithashtu bie në kundërshtim me opsionin e parë se Kosova është e pavarur dhe kemi menjëherë opinionin tjetër të Partisë Demoratike të Kosovës që nënkupton një kooperim më të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar dhe afatizimin e zgjidhjes së statusit politik që do të nënkuptonte pavarësinë dhe demokratizimin e plotë të Kosovës, por kemi edhe idetë e ndryshme që kërkojnë union Kosovë, Shqipëri. Kemi gjithashtu edhe opinionin e komunitetit serb apo të koalicionit të kthimit që punon jo për status politik të Kosovës, por për ndarje të Kosovës. Prandaj opinioni im mendoj se është një opinion që i afron të gjithë shqiptarët edhe komunitetet e tjera por edhe fiton mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.
Sokol Balla: Zoti Thaçi i rikthehemi edhe njëherë si pyetje të fundit vizitës së zotit Powell në Shqipëri. Të paktën këtu në Tiranë, nga politikanët e këtushëm kjo është quajtur një vizitë historike për arsye të brendshme. Unë doja t’ju pyesja çfarë impakti,çfarë influence mund të ketë vizita e një Sekretari Amerikan të Shteti në Shqipëri te rajoni në përgjithësi por sidomos te shqiptarët kudo që ata jetojnë në rajon.
Hashim Thaçi: Unë mendoj se vizita e sekretarit Powell në Tiranë është mjaft e rëndësishme për shqiptarët dhe kjo tregon edhe njëherë se shqiptarët vazhdojnë të mbesin faktori më besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës n rajon, flas për shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në përgjithësi ku jetojnë dhe kjo vizitë është edhe një impuls më i madh për të gjithë shqiptarët dhe tregon angazhimin dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitetin dhe funksionimin normal të institucioneve në Shqipëri për rendin demokratik këtu por në përgjithësi për stabilitetin në rajon ku bën pjesë edhe Kosova si një vend i rëndësishëm i zhvillimeve të sotme por edhe për të ardhmen e rajonit.
Sokol Balla: Zoti Thaçi faleminderit që ishit me ne!
Hashim Thaçi: Faleminderit gjithashtu!/tvklan.al