Gazetarja: Cilat janë arsyet që Reiffeisen Bank vendosi të investojë në Shqipëri duke blerë Bankën e Kursimeve?
Herbert Stepic: “Arsyeja më e rëndësishme që ne vendosëm të investojmë në Shqipëri është se kemi vërejtur zhvillime pozitive në ekonominë e vendit. Arsyeja e dytë është se ne jemi prezent në 15 vende. Jemi banka më e madhe në Evropën Juglindore dhe Shqipëria ishte vendi i fundit për të investuar. Këtë na e kërkuan dhe klientët tanë ndërkombëtarë.”
Gazetarja: Cilat janë politikat që ju do të ndiqni me Bankën e Kursimeve?
Herbert Stepic: “Ne u surprizuam kur studiuam detajet e sistemit bankar në Shqipëri. Aktualisht ekziston një aktivitet i ulët i nivelit të kredive, pra bankat nuk japin kredi. Volumi total i kredive, me sa kujtoj unë, është 360 milionë dollarë, pra shumë i ulët, në qoftë se merr parasysh asetet totale bankare që shkojnë 2.8 bilionë dollarë. Kjo është arsyeja që ne vendosëm të fillojmë me kreditë. Banka e Kursimeve menaxhon 1.4 bilionë euro të depozitave. Ekonomia në rritje të mëtejshme ka nevojë për financime dhe mjete financiare dhe ne do t’i japim ato. Konkretisht do të fillojmë me kreditë për ndërmarrjet e mëdha, sepse kjo është mënyra më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të nisur punën. Së dyti jemi duke përgatitur produkte për ndërmarrjet e vogla, këtu në Shqipëri janë të shumta në numër ashtu si dhe në vendet fqinje. Ne do të zhvillojmë gjithashtu produktet për t’i shërbyer me shpejtësi klinetëve, prandaj do të hapim 50 makina elektronike ku njerëzit mund të tërheqin para kesh. Ne do t’i shërbejmë klientëve 24 orë në ditë. Gjithashtu do të krijojmë mundësinë e hapjes së llogarive bankare me rrogat, do të shpërndajmë karta krediti që njerëzit të mos përdorin para kesh brenda apo jashtë vendit. Një fushë tjetër ku mendojmë të marrim pjesë është investimi në projektet e infrastrukturës. Shqipëria ka 18 mijë km rugë dhe vetëm 1/3 e tyre është e asfaltuar. Mendoj se në vendin tuaj nevojitet network-u i rrugëve. Qeveria besoj se është e vetëdijshme që nevojitet financimi ndërkombëtar. Ne do të marrim pjesë në këto projekte si institucion bankar lokal, përveç financimit për rrugët, ne mund të marrim pjesë dhe në projektet e energjisë elektrike një tjetër fushë ku ka nevojë për ndërhyrje. Pra, kemi një të ardhme pozitive, një punë të madhe përpara, shumë të vështirë për ta arritur.”
Gazetarja: Ju deklaruat që do operonit me kreditë, kjo do të thotë që do të hiqni dorë nga bonot e thesarit?
Herbert Stepic: “Për momentin banka nuk ka një portofol krediti, sepse nuk lejohet të jepet hua me licensën që morëm dje, për të filluar dhënien e huave ne do të krijojmë një portofol krediti, por kjo nuk bëhet për një natë. Në duhet të diskutojmë kreditë me klientët tanë, t’i analizojmë ato e të tjera probleme. Pra ky është një proces gradual. Ne jemi absolutisht të sigurt që Shqipëria është një nga vendet me ekonominë më të zhvilluar në Evropën Juglindore. Ka shumë para kesh te njerzit që nuk depozitohen në bankë. Ne jemi të sigurt që do të tërheqim shuma relativisht të mëdha të këtyre depozitave. Nuk ka asnjë frikë që ne do të dorëzohemi nga dita në ditë për financimin e bonove të thesarit për qeverinë. Ne diskutuam me qeverinë për përgatitjen e hapit të parë duke paraqitur Shqipërinë në tregun ndërkombëtar.”
Gazetarja: Nga shqyrtimi që i keni bërë deri në këto momente bankës, si ju rezulton gjendja e saj?
Herbert Stepic: “Ne jemi akoma në proces shqyrtimi, por mund të them që gjetëm stafin aktual prej 950 vetash mjaft të motivuar. Nuk mendojmë se do të largojmë njeri nga puna, përkundrazi do të rrisim numrin e stafit për të rritur kështu nivelin e shërbimit ndaj klientëve. Kështu ne kemi gjetur atë që prisnim. Mendojmë që të ndryshojmë disa degë si dhe disa pjesë të tjera.” /tvklan.al