Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, deklaron se Kuvendit i lind e drejta që sot t’i kërkojë KQZ-së t’i nisë procedurat për zëvendësimin e deputetëve, të cilët nuk kanë bërë betimin pas mandatit të fituar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Duke ju referuar Kushtetutës z.Kume shpjegon se afati 6 mujor i djegies së mandatit të deputetit për shkak të mos paraqitjes në kuvend, është efektiv kur ky i fundit, pasi i është nënshtruar verifikimit nga komisioni i posaçëm i mandateve, ka bërë gjithashtu dhe betimin në parlament.
Kristaq Kume: “Në qoftë se deputeti nuk bën betimin ai nuk është deputet. Në qoftë se do t’i qëndrojmë strikt ligjit, menjëherë do thoja të fillojmë procedurat e atij që quhet zëvendësim i radhës, dhe që të iniciohen këto procedura, duhet që Kuvendi i Shqipërisë, t’i bëjë me dije Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që X deputet që nuk i keni dhënë mandatin nuk po plotëson detyrimin ligjor për ta kthyer në aktiv këtë mandat dhe pas kësaj është KQZ, i cili sipas kushtëzimit ligjor përkatës merr vendimin për t’ia kaluar kandidatit të radhës mandatin përkatës.”
Në një situatë kur deputetët socialistë ende se kanë bërë betimin në Kuvend, krye-parlamentarja Topalli deklaroi pak ditë më parë se do t’i drejtohet KQZ-së në respekt të plotë të kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, për t’i dhënë zgjidhje këtij handikapi që mban jashtë dyerve të legjislativit deputetët e kryesuar nga Edi Rama.
Dhe duke ju referuar librit themeltar të shtetit në nenin 71 të tij, vetë kreu i KQZ-së Arben Ristani ka sqaruar se kuvendi jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ-në për krijimin e vakancës dhe mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës të së njëjtës parti politike, në zonën zgjedhore përkatëse. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës.
E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike, e më pas deri te kandidatët e partisë së koalicionit./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro